Është zbardhur për herë të parë vendimi i Gjykatës së Lartë për lënien në burg të Jeton Lamit, ish agjentit të Forcave Operacionale i cili ka shërbyer si truprojë e të shumëkërkuarit, Ervis Martinaj. Në pretendimet e tij në rekursin e bërë, ndaj vendimit të Apelit për ta lënë në burg, Jeton Lami shprehej se masa e sigurisë arrest me burg i rrezikonte jetën për shkak të profesionit të tij dhe kërkonte një masë më të butë sigurie duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e një mase shtrënguese si ajo e “Arrestit ne burg”.
Ne vendimin e Gjykatës së Lartë jepen detaje në lidhje me jetën që bënte Ervis Martinaj dhe me ditët e fundit të tij. Në dosjen hetimore rezulton se është pyetur edhe një 22-vjeçare që ka qenë një nga kontaktet e fundit të Martinaj para zhdukjes. Ajo është ish Miss Shqipëria, Sadete Kokomani. Ajo ka shpjeguar se ishte njohur me Martinajn muajin janar 2022, pasi ai kishte shkruar ne rrjetin social “Instagram”. Martinaj ka pasur një profil në Instagram me emrin “King Simba” dhe foto profili një luan. Pas disa komunikimeve ishte takuar me Ervisin në Durrës më 7 janar të vitit 2022 , përpara një hoteli. Ervisi kishte shkuar vetëm me një automjet BMV seria 7, targat e të cilit nuk i mbante mend. Pas këtij takimi kishin vijuar takimet normalisht me Ervisin. 22 vjecarja ka treguar edhe për takimin e datës 5 gusht të vitit 2022. Rreth orës 17 ajo ishte nisur me taksi nga Durrësi për në Tiranë pasi kishte komunikuar me Ervisin në aplikacionin telegram për të parë një shtëpi me qira.


