Ditën e djeshme, pas disa orësh shqyrtim të kërkesës së SPAKut që kërkonte 5 vite burg për ish-kreun e Bashkisë së Lushnjës, GJKKO-ja ka vendosur të njoftojë vendimin.
Përveç Fatos Tushes, në bankën e të akuzuarve ishin edhe 13 ish-zyrtarë të tjerë lokal, të cilët janë njohur jo vetëm me masat e dënimit, por edhe me kohën se sa do të rrinë jashtë funksioneve publike. Ish-kreu i Bashkisë së Lushnjës ishte i hetuar dhe i akuzuar për tri vepra penale, por njërën ia ka përjashtuar Gjykata, duke i lënë vendimin vetëm për dy të tjera, në masën 2.4 vjet burg dhe që i duhet të qëndrojë 5 vite larg funksioneve publike.
VENDIMI
Kështu ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, u dënua pasi u akuzua për shpërdorim detyre dhe lejim të ndërtimeve pa leje. GJKKOja ka vendosur ta dënojë me burg dhe t’i heqë të drejtën për 5 vite që të mbajë funksione publike. Ndaj tij rëndonin tri akuza, për të parën, atë të abuzimit me tenderët për kanalet vaditëse ka marrë pafajësi, ndërsa u dënua për 2 akuza, për shpërdorim detyre dhe lejim të ndërtimeve pa leje.
Edhe dy vartësve të tij, Flamur Peqinit, i dënuar me 2 vite burg e Gentian Nushit, i dënuar me 1 vit e 8 muaj burg iu është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite. Ndaj zyrtarëve të tjerë që janë dënuar me burg Leonard Sefa, Xhemal Hasko, Blerta Turku, Bardhi Mëhilli, Ilva Billo, Gazmend Çela, Margarita Gjermeni, Andri Nusho, Bektash Nezha, Andia Simoni dhe Ledi Aleksi mbi të cilët rëndojnë akuzat për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shkelja barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Fatos Tushe u arrestua me 6 korrik 2021, me ish-vartësit e tij, nga një operacion i ndërmarrë nga SPAK-u, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Bëhej fjalë për një tender me vlerë rreth 24 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Ky tender është fituar nga kompania “EuroAlb” sh.p.k., që kishte sjellë ofertën më të lartë, por më pas punimet, fitimet dhe punën e ka bërë një kompani tjetër, ajo e biznesmenit Ibrahim Lami. Ky i fundit, nga sa specifikohet në dosje, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Bujar Muratin. Nga hetimet rezultoi se Lami dhe Murati i ndanin paratë bashkë. Tushe doli në përgjime edhe teksa abuzonte me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti dhe një gazetari të njohur në Tiranë, si edhe ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll.
MASAT/VENDIMI I GJKKO
Fatos Tushe: 2 vite e 4 muaj burg
Flamur Peqini: 2 vite burg
Gentian Nushi: 1 vit e 8 muaj burg
Leonard Sefa: 1 vit 6 muaj burg
Xhemal Hasko: 2 vjet 6 muaj burg
Bleta Turku: 1 vit e 4 muaj burg
Bardhi Mëhilli: 1 vit e 6 muaj burg
Ilva Billo: 1 vit burg
Gazmend Çela: 1 vit e 8 muaj burg
Margarita Gjermeni: 1 vit e 4 muaj burg
Andri Nusho: 1 vit e 4 muaj burg
Bektash Nezha: 1 vit e 6 muaj burg
Andia Simoni: 1 vit e 2 muaj burg
Ledi Aleksi: 8 muaj burg