As fluksi i ri i refugjatëve nga Ukraina, e as kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia nuk e ka dëmtuar klimën integruese të migrantëve në Gjermani. Përkundrazi: Barometri i integrimit, që u prezantua të mërkurën nga Këshilli i Ekspertëve të Integrimit (SVR) në Berlin, flet për një trend të qartë: “Klima e integrimit në Gjermani po rezulton të jashtëzakonisht e qëndrueshme,” tha kryetarja e SVR Prof. Petra Bendel gjatë prezantimit të Barometrit të Integrimit të mërkurën në Berlin.
Ekspertët thanë se klima e integrimit perceptohet ndryshe në varësi të disa tipareve sociale, si mosha, gjinia dhe niveli arsimor: “Të rinjtë, gratë dhe të diplomuarit në shkolla të larta e vlerësojnë më pozitivisht klimën e integrimit sesa të moshuarit, burrat dhe personat me arsim të ulët”, tha Profesor Marc Helbling, nga Qendra Shkencore për Hulumtime Sociologjike (WZB) në Berlin.


