Një grup shqiptarësh dyshohet se kanë sulmuar shtëpinë e italianit Aurelio Valiante, i cili disa ditë më parë vrau me armë zjarrin 25-vjeçarin shqiptar, Rivaldo Rusi, gjatë një tentative për grabitje të këtij të fundit me dy bashkatdhetar të tij.
Më pas ata janë larguar në heshtje, duke lënë pas vetëm një gjurmë të qartë të pranisë së tyre, shenja dëmtimi.
Ngjarja ka ndodhur në Foria të Centola-s, në rrugën “Via Carpine”, natën pas zhvendosjes së Aurelio Valiante dhe familjes së tij në një vend të mbrojtur nga policia, pasi i druhet kërcënimit të shqiptarëve.
Për ditë me radhë, dhjetëra përdorues shqiptarë kanë shpërndarë mesazhe hakmarrjeje në TikTok, duke shkruar: “Gjakun e lajm me gjak”, duke iu referuar vrasjes së të riut shqiptar teksa tentoi të vidhte. Hakmarrja e paralajmëruar në rrjete sociale, mund të mos mbetet vetëm virtuale.
Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Vallo della Lucania-s vazhdojnë dhe tashmë janë tre të dyshuar. Aurelio Valiante, 58 vjeç, akuzohet për vrasjen me armë; vëllai i tij, M. Valiante, 50 vjeç, dyshohet se e ka ndihmuar në fshehjen e trupit në një kazan vere, i maskuar më pas me bimësi; si dhe Xhuijan Kurti, 27 vjeç, shqiptar me banim në Acerra, i konsideruar një nga bashkëpunëtorët e Rusi-t, aktualisht në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin “Cardarelli” të Napolit. Ndërkohë, personi i tretë i përfshirë në grabitje është ende në kërkim.
Mësohet se është ende në pritje autopsia mbi trupin e viktimës. Ekspertiza do të kryhet në morgun e spitalit “San Luca” të Vallo della Lucania-s dhe do të ketë një rëndësi thelbësore për zbardhjen e ngjarjes, veçanërisht për të përcaktuar nëse Rusi është qëlluar përballë apo nga pas, një element kyç që mund të ndikojë në vlerësimin ligjor të vetëmbrojtjes.
Në autopsi do të jetë i pranishëm edhe një mjek-konsulent i familjarëve të viktimës, të përfaqësuar nga avokati Fabio Della Corte.


