Në shkrimin e gazetarit gjerman Jonas Breng për trafikantët e drogës në Shqipëri, ai ka kontaktuar Artan Hoxhën, i cili e ka ndihmuar për të bërë këtë shkrim.
Ai bën edhe një përshkrim të Artan Hoxhës, të cilin e quan “gazetari trashaluq”, dhe vijon më tej, duke thënë se ka zëra që është pjesë e karteleve të drogës, apo që mbrohet nga CIA.
“Në atë vend të cilin Persicke e quan «shtet maskarenjsh», një burrë trupshkurtër dhe trashaluq fshin djersët nga zverku në një kafene. Artan Hoxha, 42-vjeçar, i veshur me tuta, është diçka si shpresa e fundit e Persickes. Ndonëse polici gjerman dhe gazetari hulumtues nga Shqipëria nuk janë takuar kurrë – por të dy kanë të njëjtin armik.
Kafeneja në Tiranë të cilën ai e ka zgjedhur në këtë ditë i takon një të njohuri. Hoxha ka zënë vend afër daljes anësore, me fytyrë nga dera.
Nëse vrasësit vijnë, atij do t’i mbesnin disa sekonda për t’ia mbathur. Hoxha nuk vuan nga paranoja. Kërcënimin e fundit me vrasje e ka marrë para disa orësh.
Ai përkulet dhe me zë të ulët thotë: «Kemi të bëjmë me prodhimet më të suksesshme të eksportit të Shqipërisë: drogë dhe dhunë»”, shkruan Breng.
“19 vjet Hoxha ka hulumtuar mbi klanet shqiptare, ka takuar informatorë dhe policë, politikanë dhe trafikantë. Gjatë hulumtimeve të tij është kidnapuar, fyer dhe ndjekur.
Në Shqipëri qarkullojnë shumë legjenda se si Hoxha ia ka dalë të mbijetojë.
Disa thonë se Hoxha vetë është pjesë e mafies dhe i angazhuar nga njëri kartel për të dëmtuar tjetrin.
Të tjerët thonë se Hoxha mbrohet nga CIA.
Vetë Hoxha qeshet dhe thotë: «Sa më vështirë që e kanë të më vlerësojnë, aq më të mira janë shanset e mia për të mbijetuar»”, vijon më tej gazetari gjerman.
Pjesë nga shkrimi i Jonas Breng
Sipas Hoxhës janë tri arsye kryesore që e kanë bërë të mundshme ngritjen e mafies. Së pari: struktura e klaneve. Së dyti: pozita gjeografike e Shqipërisë. Së treti: politika. «Është si në serë – nëse klima është e përshtatshme, atëherë lulëzon», thotë ai dhe në një letër shkruan me laps numrin 20. Kaq klane të mëdha me lidhje në botën e jashtme mendohet se ekzistojnë në Shqipëri. Ato veprojnë të shtyra nga familjet e fuqishme, të përkrahura nga një rrjet vëllezërish, xhaxhallarësh dhe kushërinjsh. Në rrethin e ngushtë nuk zgjidhesh, por lind. Përmes kësaj bërthame klanet shqiptare sa i përket numrit të burrave janë më të vogla se njësitë e mëdha italiane të mafias së Cosa Nostras dhe ‘Ndranghetas. Njëkohësisht kjo i bën ato imune ndaj tradhtisë dhe shkatërrimit. «Te italianët vendosë kumbara si një diktator, këtu (te shqiptarët) sundon rrjeti. Nëse e heq qafe njërin vëlla, vjen tjetri», thotë Hoxha.
Klima shqiptare për kultivimin e kanabisit është fantastike: 280 ditë me diell gjatë vitit.
Ngritja e klaneve filloi në vitet ’90. Atëbotë Hoxha ishte gazetar i sportit dhe raportonte për një gazetë mbi Dinamon e Tiranës, njërin prej ekipeve më të mëdha të vendit. Ishte një kohë e tranzicionit të dhimbshëm: nga një diktaturë, e cila me dekada ishte e izoluar si Koreja e Veriut sot, në një demokraci, në të cilën sundonte kaosi – trazirat dhe paligjësia karakterizonin vendin. Në këtë shtet të shkatërruar ishin shtrirë klanet. Hoxha i shihte prijësit e tyre në stadiume futbolli të ulur në tribunë pranë funksionarëve. Ata kishin kontakte të mira me politikën, dhe nganjëherë Hoxha përshëndetej me ta. Kur më 1997 lufta civile dridhi vendin, kryeredaktori i Hoxhës e bëri atë reporter. Sepse Hoxha i dinte emrat e shefave të karteleve, të cilët tani tërhiqnin penjtë, dhe e dinte se si i fitojnë ata paratë. Shumë prej tyre ishin bërë të pasur me heroinë. Klanet përfituan herët nga shtegu ballkanik, rruga më e rëndësishme e tregtisë me heroinë, e cila kalon fare pranë territoreve shqiptare në drejtim të Europës Perëndimore. Pastaj nga fillimi i vitit 2000 kjo tregti u plotësua nga biznesi i ri i karteleve: mbjellja e kanabisit. Për këtë klima shqiptare me 280 ditë me diell gjatë vitit ishte tepër e përshtatshme. Ndërkohë Shqipëria zë vendin e parë në Europë në prodhimin e mariuanës – duke lënë të tjerët larg. Andaj ishte vetëm çështje kohe se kur do të kyçeshin shqiptarët edhe në tregtinë me kokainë, ku mund të fitohen më së shumti para.
Sot, pak vite më vonë, ata e marrin mallin direkt nga prodhuesit në Amerikën Latine, pa ndërmjetësues. Kjo është një shpallje lufte kundër lojtarëve në segmentin më brutal të të gjitha drogave. Se sa të pakompromis janë në përpjekjen për të depërtuar në këtë biznes u pa vitin e kaluar në Amsterdam dhe Londër, dy qytetet më të rëndësishme të kokainës në Europë. Atje së fundi ambasadorët shqiptarë u ftuan në takim nga autoritetet vendase – një reagim ky ndaj dhunës, e cila po del nga kontrolli në rrugë.
Është vonë në mbrëmje kur ai në një mbrëmje shtatori shkon edhe njëherë në zyrën e tij në televizion. Hoxha zë vend në tavolinën e punës, e cila duket sikur një postier të ketë derdhur çantën e tij. Letrat vijnë nga shikuesit, të cilët i dërgojnë Hoxhës të dhëna për kartelet. Ata ia dërgojnë atij dhe jo policisë, sepse ata më shumë i besojnë një gazetari trashaluq se shtetit të tyre. Nga një grumbull letrash Hoxha nxjerr një gazetë dhe tregon fotografinë e një njeriu. Ai bart kostum, ka flokë të shkurtra, bojëkafe dhe rrudhat e një burri në fund të dyzetave. «Ky është», thotë Hoxha. «Ky është Klement Balili».
Në Shqipëri çdokush e njeh emrin Balili. Bosi i drogës është njëri prej kriminelëve më famëkeq të botës; dhe ndoshta asnjë rast tjetër nuk e përshkruan më mirë lidhjen absurde mes politikës dhe mafies në Shqipëri se sa ndjekja e «Pablo Escobarit të Shqipërisë». Hoxha ka raportuar disa herë në emisionin e tij mbi Balilin, sepse çështja e tij bëri jehonë të madhe. Ka fotografi në të cilat shihet presidenti i Shqipërisë në njërën nga pritjet e organizuara nga Balili. Hoxha thotë: «Ndërkohë partitë po përpiqen ta heshtin këtë temë. Por puna ime është që t’ua kujtoj».


