Ish-zyrtarë të Drejtorisë së Rrugëve, agjent doganor, tregtarë janë arrestuar nga policia apo janë vënë nën hetim me akuza të ndryshme pas zbulimit të një veprimtarie ilegale të kontrabandës.
Prokuroria ka arritur të sigurojë masat nga Gjykata duke ekzekutuar sot edhe vendimet. Dyshohet se prej personave të përfshirë në rrjet janë futur kontrabandë në vend makina luksoze kryesisht të markës “Range Rover”, të vitit të prodhimit 2015, duke shmangur vlerën e doganës.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, ka regjistruar procedimin penal në vitin 2017 për veprat penale “Kontrabandë me mallra të tjerë” dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar respektivisht nga nenet 174 dhe 248 të Kodit Penal.
Pas një hetimi disamujor të prokurorëve të Strukturës së Posaçme (Forca e Ligjit) në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u bë e mundur arrestimi i shtetasve:
-Elison Shehaj, lindur në Ballsh-Fier dhe banues në Tiranë, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” (4 herë) dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, parashikuar nga neni 190/3 ( 4 herë) i K.Penal. Ky shtetas ka pasur pozicion pune specialist i regjistrimit të mjeteve në DRSHTR-Tiranë.
-Mirjan Driza, lindur dhe banues në Durrës, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” (2 herë). Ky shtetas ka pozicionin e agjentit doganor në agjencinë doganore “Laura One”, Durrës.



