Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, në bindje të dekretit të Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, konsideruar nul nga mazhoranca, Kuvendi dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kërkon të ndalojë takimin elektoral të kreut të qeverisë, sot pasdite në kryeqendrën e veriut.
Kryebashkiakja i ka dërguar dje një letër zyrtare, komisariatit të policisë së Shkodrës, dhe vetë Partisë Socialiste, ku i njofton se Bashkia nuk miraton asnjë leje për asnjë subjekt politik për aktivitete elektorale.
Në letrën dërguar shefit të komisariatit, Voltana Ademi shkruan: “Çdo aktivitet politik elektoral që mund të zhvillohet në sheshet publike të hapura në qytetin e Shkodrës konsiderohet i paligjshëm dhe për rrjedhojë Bashkia Shkodër nuk miraton leje për asnjë subjekt politik”.
Në letrën dërguar Partisë Socialiste, kryebashkiakja jep dy arsye se përse e refuzon lejen për takimin elektoral të Ramës në Shkodër.
E para është dekreti i Presidentit Ilir Meta i cili i ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, dhe që është botuar edhe në Fletoren Zyrtare. Ishte pikërisht ky dekret që futi në përplasje institucionale policinë e Rendit me atë bashkiake, që urdhëruar nga kryebashkiakët e zgjedhur nga PD dhe LSI këto ditë kanë dalë në terren për të larguar KZAZ-të nga ambientet në administrim të bashkive.
Arsyeja e dytë që Voltana Ademi jep, është se në këtë periudhë të sezonit turistik, Shkodra nuk ka ambiente publike të lira për tubime të tilla elektorale.
“Me fillimin e sezonit turistik në Bashkinë Shkodër janë duke u realizuar në të gjitha sheshet e Bashkisë aktivitete promovuese për turizmin dhe nuk ka asnjë shesh të lirë për organizim takimesh”, thuhet në letrën që Ademi i dërgon PS-së, parti e drejtuar nga Edi Rama.