Në legjislacionin e kaluar në Kuvendin e Shqipërisë u miratuan 48 ligje, të cilat trajtonin çështje të të drejtave të grave dhe fuqizimin e tyre në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit.
Aleanca e Grave Deputete, që nga krijimi i saj në dhjetor 2013 ka pasur si objektiv të përmirësojë legjislacionin shqiptar sa i takon pozitës dhe rolit të grave.
Sipas “Fletores Zyrtare”, gjatë periudhës 2013-2016 qeveria ka dërguar për miratim në parlament 48 ligje që përmbajnë fjalën “grua” si dhe ka miratuar disa VKM dhe urdhëra që kanë përmirësuar pozicionin e gruas në shoqëri.
Propozimet kanë ardhur dhe si kërkesa të grupit të grave deputete, të cilat gjatë legjislaturës kanë kontaktuar grupe interesi të grave për të identifikuar problematikat me të cilat ato ndesheshin që nga punësimi, marrja e ndihmës sociale, të drejtat e lejeve të lindjes, aksesi në shërbimet publike etj.
Propozimet e Aleancës së Grave Deputete duket se sollën rezultatet e pritshme.
Deputetja socialiste, Blerina Gjylameti thotë se “Aleanca e Grave u vu menjëherë në lëvizje duke konstatuar boshllëqe në Kodin e Punës sa i takon trajtimit të grave shtatzëna para dhe pas lindjes”.
Ndërsa deputeja demokrate Albana Vokshi shprehet e kënaqur me propozimet e bëra nga Aleanca.
“Aleanca e Grave Deputete i është përgjigjur gjithnjë ftesave të Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë që unë kam drejtuar në legjislaturën e kaluar. Një pjesë e deputeteve të AGD u përfshinë dhe u angazhuan në të gjitha projekt-ligjet që diskutoheshin nga këndvështrimi gjinor. Sot ndjehem mirë që pothuajse të gjitha sugjerimet e deputeteve apo të shoqërisë civile u morën parasysh dhe u përfshinë edhe në draftin përfundimtar të Kodit të Punës. Disa prej këtyre ndryshimeve kishin për qëllim të ofronin një përkujdesje më të madhe për nënat në vitin e parë pas lindjes së bebeve, duke kërkuar reduktimin e orarit të punës, një nismë që ndihmonte edhe në ushqyerjen me gji për të rritur fëmijë të shëndetshëm. Theksoj faktin që në vitet 2013-2016 janë miratuar rreth 48 ligje me elementin gender”, u shpreh deputetja demokrate Albana Vokshi.
Ndërhyrja thelbësore për sa i përket përmirësimeve ligjore ishte miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i Ligjit Nr. 136, datë 5.12.2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Këto rishikime u përqendruan në një saktësim të termit “shqetësim seksual”.
Ligji detyron punëdhënësin për të garantuar kushtet e përshtatshme për punë të gruas shtatzënë apo për atë me fëmijë në gji, kur vendos të kthehet për të punuar pas 63 ditëve të paslindjes. Ajo përfiton një pushim të paguar prej 2 orësh, brenda kohëzgjatjes normale të punës, ose kohëzgjatje pune të reduktuar, me 2 orë, me pagë të njëjtë sikur të kishte punuar për kohëzgjatjen normale ditore të punës.
Gjithashtu ligji jep garanci shtesë për të siguruar rikthimin në punë të gruas pas mbarimit të lejes së lindjes dhe mos-diskriminim në shpërblim për të gjithë dhe jo vetëm për meshkujt dhe femrat.
Ish-deputetja demokrate Majlinda Bregu shprehet se nuk ka pasur qëndrime partiake në aktivitetin e Aleancës.
“Ne si Aleancë kemi pasur disa iniciativa ligjore. Nuk ka patur asnjëherë problem për rënien dakord mes deputeteve dhe pse vinim nga forca të ndryshme politike. Problemi ka qenë dhe do të jetë, votimi i iniciativave ligjore nga të cilat përfitojnë kryesisht gratë e fëmijët në nevojë, që mbështesin fuqizimin ekonomik të grave, që promovojnë seriozisht modele lidershipi. Po të isha sot në Parlament, do të kërkoja një analizë të buxhetit të vitit 2018 nga pikëpamja gjinore dhe një ndryshim serioz në Kodin Zgjedhor për ndryshimin e nivelit të përfaqësimit të grave në parlament, detyrimin ligjor të respektimit të kuotës gjinore nga partitë politike, duke hequr dënimin me gjobë nga Partia që nuk e respekton dhe duke vendosur ‘si dënim’ kthimin pas të listës së deputeteve nga KQZ-ja”, u shpreh ish-deputetja demokrate Majlinda Bregu.
Zonja Vokshi sjell në vëmendje dhe barazinë e plotë gjinore në këshillat bashkiake, nismë e mbështetur fort nga Aleanca e Grave Deputete. “Një nismë tjetër ligjore e mbështetur fuqimisht nga AGD është edhe ajo e lobimit për rritjen e përfaqësimit të tyre në politikë, duke mundësuar edhe kuotën e barazisë absolute gjinore në këshillat bashkiakë. AGD ka iniciuar miratimin e disa Rezolutave si dhe ka rritur aksionet ndërgjegjësuese për shëndetin e gruas”, u shpreh zonja Vokshi.
Por falë kërkesës së vazhdueshme të Aleancës së Grave Deputete, qeveria bëri rregullimet e nevojshme edhe në lidhje me një problematikë të dalë me ndihmën ekonomike.
“Në takimet me grupe të ndryshme interesi të grave, kishim konstatuar se në shumë raste, ndihma ekonomike e familjeve në nevojë, tërhiqej nga burrat të cilët më pas e konsumomin për veten e tyre pa e çuar në familje. Ne kërkuam që ndihma ekonomike të përcaktohej me vendim qeverie që të tërhiqej nga gruaja”, tha deputetja socialiste Evis Kushi.