Fotoja e mëposhtme është e Ervin Matës, bosi i drogës shqiptare i arrestuar ditën e djeshme në Brazil. 39-vjeçari fshihej duke përdorur dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara. Mediat vendase shkruajnë se Mata u kap në një lokal, pasi policia mori informacione se një person i shpallur në kërkim po lëvizte në atë zonë.

Atij i janë sekuestruar dy aparate celularë dhe dokumente. Sipas policisë, Mata tentoi të paraqitej si shtetas paraguaian, por u identifikua nga forcat e rendit, të cilat dispononin të dhëna dhe imazhe të tij. Pas verifikimit të identitetit, ai u dorëzua pa rezistencë.
Kush është Ervin Mata?
Ervin Mata ishte në kërkim ndërkombëtar që nga nëntori i vitit 2023 dhe kundër tij ishte lëshuar një urdhër. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar Matës masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Hetimet tregojnë se ai koordinoi trafikimin e 240 kg kokainë në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 2020. Ervin Mata dyshohet se fitoi 81 milionë lekë shqiptarë nga trafiku i drogës dhe gjithashtu për organizimin dhe financimin e vrasjeve. Mata akuzohet për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës dhe trafikim kokaine nga Amerika Latine në Europë.
Ervin Mata njihet si pronari i një prej hoteleve që ndodhet në “Rrugën e Dibrës”, në Tiranë, hotel i cili në fakt rezulton i regjistruar në emër të babait të tij. Ky i fundit ka në pronësi edhe një kompani që merret me konstruksione metalike


