Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se, nëse deri në muajin qershor nuk do të hapen negociatat mes BE-së dhe Shqipërisë, qeveria shqiptare do të kërkojë ndarjen nga oferta e përbashkët me Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri e deklaroi këtë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Rama theksoi më tej se “nuk i detyrohemi as Berlin-it, as Paris-it për hyrjen në Bashkimin Evropian, por fëmijëve tanë”.
“Kemi ende shumë për të bërë dhe do të bëjmë gjithçka që duhet bërë”, garantoi kreu i qeverisë shqiptare.
Kryeministri njoftoi se procesi i Berlin-it do të marrë një impuls të ri.
Sa i takon nismës së Ballkanit të Hapur, Rama shtoi se katër liritë e BE-së janë gjëja e duhur për të garantuar “paqen dhe të ardhmen”.
“Marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyera”, ravijëzoi kryeministri shqiptar.
Ndërsa, referuar liberalizimit të vizave të Kosovës, Rama e konsideroi se procesi është i merituar prej kohësh.


