Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një fjalim drejtuar qytetarëve të Kosovës pas ngritjes së aktakuzave nga prokuroria e Gjykatës Speciale, tha se nuk ka bërë krime lufte.
Ai akuzoi drejtësinë ndërkombëtare se vepron me dy standarde.
“Sot kush thotë se jam bërë pengesë apo sabotues i kësaj Gjykatë është ose i painformuar ose tendencioz.
Të dashur qytetarë unë do të isha njeriu më i lumtur nëse do të shihja standarde të njëjta mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe ja ku jemi sot.
Serbia negocion për anëtarsime në BE, ndërsa ne nuk i kemi liberalizuar ende vizat. Është fakt dallimi në qasje mes Kosovës dhe Serbisë. Kemi gabimet dhe përgjegjësitë tona.
Unë i pari dhe bashkë të tjerë. Nuk e kemi ruajtur kohezionin politik. Po asnjë lëshim nuk e justifikon faktin që ballafaqohemi për krime lufte, ndërsa nga ana tjetër pren heshtja.
Ne jemi angazhuar për dialog e paqe me Serbinë. Por nuk e pranoj faktin për mijëra shqiptarë të zhdukur nga makineria vrasëse e Millosheviçit dhe për ta ka heshtje varri.
Mos duhet të presim që i kërkojmë falje për vrasjet, për nënat dhe motrat tonë të përdhunuara? Askujt nuk i kërkohet llogari për krimet e luftës në Serbi”, deklaron me tej Thaçi.