Festa e Lunikut mblodhi bashkë shumë qytetarë nga zona të ndryshme të Shqipërisë për të kaluar një ditë të këndshme në freskinë e natyrës në malin e Letmit në Librazhd.
Festat e fshatrave janë kthyer tashmë në një traditë që synon të promovojë zonat me bukuritë e natyrës, kulinarinë tradicionale dhe traditat kulturore.
Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, Kryetari i Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe zyrtarë të tjerë pranuan me kënaqësi të marrin pjesë në festën e Lunikut.
“Është bërë e përvitshme tashmë që në fillim të Gushtit, në zona të ndryshme të Librazhdit zhvillohen festa të fshatrave, siç është kjo, festa e Lunikut. Në këto festa mblidhen, jo vetëm banorët, por edhe emigrantë dhe turistë. Vizitorët shijojnë bukuritë e natyrës, por edhe shërbimin dhe ushqimin tradicional të zonës. Kjo është një bazë e shëndoshë për ndërtimin e një agroturizmi të shëndetshëm. Këtu ka sot qytetarë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, nga Elbasani, Tirana, Fieri e Durrësi për turizëm malor.
Projektet për këtë zonë janë tashmë të depozituara, një prej të cilave është shpallur fituese nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor e Rural, për ngritjen e një investimi në fushën e agroturizmit, por thirrja ime është që sipërmarrës, jo vetëm të kësaj zone, por nga zona të ndryshme që kanë interes në agroturizëm janë të mirëpritur për t’u dhënë detaje lidhur me mundësi të rëndësishme investimi” tha Balla.
Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, shprehu bindjen se shumë shpejt këto zona do të zhvillohen përmes agroturizmit dhe vizitorët do të shijojnë bukuritë natyrore të cilat Librazhdi i ka më shumicë. “Tashmë është kthyer në traditë që pothuajse çdo fshat me anë të këtyre festave lokale, jo vetëm zhvillojnë traditat e tyre, por shërbejnë edhe për emigrantët të cilët kthehen pranë familjeve të tyre dhe festat janë një mënyrë e mirë për të qenë të gjithë bashkë dhe për të shijuar bukuritë e natyrës.
Ato që duken tashmë si iniciativa të vogla shërbimi, edhe me mbështetjen që Qeveria Shqiptare i ka dhënë agroturizmit, do të zhvillohen më tej, qoftë përmes bujtinave, qoftë përmes iniciativave më të mëdha. Jemi vetëm 1 orë e gjysëm larg Tiranës, këtu në malin e Letmit dhe zona të tilla ku temperaturat sot janë nën 20 gradë janë të gatshme të presin vizitorë nga i gjithë vendi.”
Festa e Lunikut zhvillohet tashmë për të 10 vit me radhë dhe vit pas viti numri i vizitorëve shtohet. Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, më i madhi në vend, gjithnjë e më shumë po tërheq vizitorë vendas dhe të huaj. Në mungesë të objekteve akomoduese, këtu turizmi vazhdon të jetë një ditor, por me projektet për zhvillimin e agroturizmit, këto zona do të jenë destinacione të rëndësishme.


