Recetat tradicionale të produkteve të brumit u shoqëruan me këngët dhe ritet e përcjella ndër breza u prezantuan në Gjirokastër në edicionin e dytë të Festës së Brumit. Amvisat kërkuan ruajtjen e këtyre recetave të paprekura, ndërsa për ekspertët ky aktivitet është një mundësi për listimin e trashëgimisë jo materiale.
Zënia e bukës së dasmës, kulaçit të lindjes apo hapja e petëve u shoqëruan nga këngët dhe ritet e përcjella ndër breza.
Kjo grua e ansamblit Visaret e Krrabës, veç recetës edhe kostumin e ka gati dy shekullor.
“Këto janë traditat e vjetra që kanë qenë gjithmonë. E kam trashëguar në familje, prodhoj dhe vetë kostume popullore. Kam mbi 40 kostume popullore të vjetra.”
Petulla, petë, kulaç e shumë receta e tjera u prezantuan në edicionin e dytë të Festës së Brumit mbajtur në Gjirokastër.
Amvisat e vjetra kërkojnë që këto receta të mos largohen nga tradita.
“Të gjitha recetat e brumit të vjetra janë, petullat, kulaçi.”
Studiuesi, Niko Kotherja, tha se qëllimi i aktivitetit është njohja e traditave dhe listimi i trashëgimisë jo materiale.
Niko Kotherja: Të kuptojnë më shumë nga kultura e qytetit të tyre dhe ta tejçojnë te brezat e ardhshëm.
Grupe folklorike të ardhur nga Shqipëria dhe Greqia i dhanë ngjyra festës.