Gjatë një takimi të zhvilluar me fermerët në Divjakë sot në 30 janar, kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e mbështetjes financiare dhe bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë. Ai njoftoi se për këtë sektor janë vënë në dispozicion 250 milionë euro, fond që mund të shkojë deri në 1 miliard euro në rastin më të mirë, duke u dhënë fermerëve mundësinë për të zhvilluar projekte të qëndrueshme dhe të suksesshme.
“Paratë janë, por ajo që është problem është mungesa e informacionit dhe mungesa e përgatitjes për t’i thithur paratë”, tha Rama, duke nënvizuar rëndësinë e aftësisë për të përfituar nga fondet e Bashkimit Evropian dhe nga kreditë me garanci shtetërore. Sipas tij, fermerët duhet të jenë të aftë që t’i thithin këto fonde, duke përgatitur projekte të qarta dhe të strukturuara mire. “Duhet një dosje me një projekt dhe të tregojë se projekti vlen dhe ky projekt duhet financua,”, theksoi kryeministri.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e tregut të përbashkët dhe përpunimit të prodhimeve. “Nuk funksionon qëndrimi vetëm. Duhet të ketë koordinim me tjerët, që kur të shesim të jemi bashkë dhe atë volumin e madh të mund ta grumbullojmë, ta përpunojmë. Një pjesë të tyre ta përpunojmë këtu dhe jo vetëm ta çojmë në Europë”.
Rama vuri theksin edhe tek mundësitë e kreditimit. “Të gjithë mund të marrin kredi, që janë me garanci nga shteti dhe normat e interesit janë shumë të ulëta. Duhet një dosje, për t’i thënë bankës: ‘Ja pse duhet të më mbështesni dhe pse kjo që po bëj më sjell fitim’.”


