Nëna e Alesia Nezirit, 15-vjeçares tetë herë kampione në not, të cilës i mohohet e drejta për të garuar në Kampionatin Evropian të Notit në Danimarkë i ka dërguar sot një letër të hapur kryeministrit Rama. Duke akuzuar federatat e sportit si vende ku kultivohen intrigat e padrejtësitë, Vjola Neziri kërkon zgjidhje për çështjen e së bijës. E lodhur dhe e sorollatur zyrave, ajo shprehet se nuk do më ku të trokasë, që vajza e saj të mos heqë dorë nga ëndrra.
BalkanWeb boton letrën e plotë
I nderuar zoti Kryeministër,
Me shpresën e këputur nga ftohtësia e burokracisë shtetërore dhe e dërrmuar nga intrigat e parazitëve që kanë uzurpuar federatat sportive, gjeta kurajo nga instikti i nënës për të mbrojtur fëmijën e vet, që t’ju shkruajtur këtë letër.
E di që jeni shumë i zënë pasi vendi ynë ka një milion probleme, por obligimi prindëror karshi ëndrrës së fëmijës së vet më detyron të reagoj me indinjatë kur mohohen, shkelen dhe përbalten arritjet dhe e ardhmja sportive e vajzës time.
Alesia Neziri, vetëm 15 vjeç, plot pasion dhe përkushtim stërvitet çdo ditë dhe aktualisht është 8 (tetë) herë Kampione Kombëtare për të rinjtë. Pavarësisht rezutlateve të shkëlqyera, mbështetet financiarisht vetëm me një bursë olimpike nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Çdo kontribut apo mbështejte tjetër financiare ka qenë i familjes, që aktualisht ka vetëm 1 (një) të punësuar, bashkëshortin tim.
Po ju drejtohem pasi kam dy muaj sorrollatje boshe që mundohem të marr informacion, të kontaktoj e ballafaqoj sektretaren e përgjithshme të Federatës së Notit me një raport kryekëput të pavërtetë, mashtrues dhe lehtësisht e aritmetikisht të kundërshtueshëm. Nuk dua t’ju lodh në detaje pasi raporti është tjesht një produkt i njerëzve që kërkojnë të mbushin me hakmarrje defiçensat e krijuara nga personaliteti i deformuar që kanë. Është një akt dashakeqës dhe që sëbashku me indiferencën e stërgjatur të drejtueses në fjalë ka si qëllim të vetëm demotivimin ekstrem të vajzës, mos zbatimin e detyrimeve kontraktore të bursës olimpike të nënshkruar midis Federatës dhe KOKSH, e kështu mospjesëmarrjen e vjazës në Kampionatin Evropian, që është vetëm disa ditë larg. Nuk e di në cilin vend të botës, në Kampionat nuk marrin pjesë Kampionët e vendit, por fëmijët që kanë mundësi financiare. Nuk e kuptoj se si pas 20 viteve tranzicion, Shqipëria vazhdon të zhvillojë turizmin e notit në “Gara” ndërkombëtare.
Zoti Kryeministër, pas një përballje në zyrat shtetëore, në vend që mediokriteti dhe dashakeqësia të dënohet përballë fatkeve të pakundërshtueshme, dërrmohem dhe largohem kokë ulur, e mundur nga intrigat dhe indiferenca e qëllimshme e drejtuesve të sportit. Me indinjatë të madhe konstatoj se servilizmi i federatave është përzier me cinizmin shtetëror dhe i kanë kthyer zyrat shtetërore në një apendiks të rrezikshëm ku mblidhen të gjitha jashtëqitjet sportive.
Jam tmerrësisht e lodhur pasi vetëm një vit më parë jemi gjendur përballë të njejtës situatë me sekretaren e përgjithshme të federatës, e cila në atë kohë nëpërmjet të njëtave akte të ulëta pretendonte se federata nuk kishte fonde për të mbështetur pjesëmarrjen e Alesias në kampionatin botëror në Kanada, gjë që më pas u faktua e pavërtetë. Por në ballafaqimin e asaj kohe, qasja shtetërore ishte krejt tjetër. Menjëherë gjetëm mbështetje dhe federatës iu kujtua roli publik, detyra dhe përgjegjësia që edhe nëse nuk kishte fonde, jo vetëm duhet të ngrinte zërin në media e në publik por të shkonte deri aty sa të “shkelmonte” dyert e zyrave shtetërore derisa të siguronte pjesëmarrjen e 7 herë Kampiones premtuese, e ky “shkelmim dyersh” urdhërohej nga zëvendësministri juaj.
Pas gjithë këtij kalvari, streseve dhe ngarkesës emocionale, e vetmja gjë që kërkoj është meritokracia, nuk kërkoj drejtësi pasi e njoh realitetin shqiptar, një realitet nga i cili do të largohem vitin e ardhshëm, për të nisur një të ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ku vetë Alesia do të ketë mundësi të ndërtojë karrierën e saj sportive.
Gjithmonë jam munduar të kultivoj te fëmijët e mi dashurinë për vendin e tek Alesia në veçanti krenarinë për të garuar me flamurin kuq e zi. Por sot, me lotë në sy ajo me thotë që as nuk do ta dëgjoj më emrin e këtij vendi, jo më të garoj për të, e unë e dëshpëruar kam frikë mos ka të drejtë. Në këtë moment që ju shkruaj, pjesëmarrja duket shumë e pamundur, e vetmja dëshirë që kisha, ishte ti provoja vajzës time që e vërteta është luan, nuk ke nevojë ta mbrosh mjafton ta lësh të lirë, që shpresa nuk vdes kurrë sa do e errët të duket jeta dhe që ky vend mund të bëhet dhe ia vlen të garosh për të, pavarëisht në cilin vend jeton.
I nderuar, bashkë me këtë letër po ju dërgoj marrëveshjen e bursës olimpike, megjithatë, nëse edhe Ju jeni i të njëjtit mendim me “ekspertët” ministror të sportit, atëherë me përulje ju kërkoj ndjesë për shqetësimin dhe kohën e humbur si dhe ju ftoj ta grisni këtë letër. Nëse e lexoni si unë, uroj që një ditë, të arrini të ndaloni funksionimin e fabrikës së trushplarjes kolektive që është instaluar në institucionet shtetërore dhe ato sportive.
E uroj këtë pasi besoj tek Ju.
Me respekt,
Vjola Neziri


