Fatos Lubonja ka sulmuar ashpër kryeprokuroren Arta Marku, pas veprimeve të fundit të saj për të reformuar Prokurorinë e Përgjithshme.
Lubonja thotë se Marku është një kamikaze, e cila po përdoret nga kryeministri Edi Rama dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu.
Ai shkruan se Marku po bën gati të hedhë në det rrjetën që do të kapë “Peshqit e mëdhenj”, që do të justifikojnë objektivat e shpalluar nga kryeministri dhe ambasadori amerikan.
Sipas Lubonjës, Rama interesohet për “suksesin” e reformës në drejtësi për ta përdorur atë si justifikim se gjërat që nuk kanë ecur deri më tani, i kanë penguar të liqtë e infiltruar në sistemin e drejtësisë.
Në shkrimin e tij botuar në “Panorama”, Lubonja sulmon ashpër edhe ambasadorin Donald Lu.
Ai e akuzon atë si një diplomat të lidhur me lobet pro Ramës në Amerikë dhe me ndonjë hall me drejtësinë shqiptare, si në rastin e “Bankers Petrolium”.
Lubonja shkruan se Donald Lu bën pjesë në aradhën e madhe të një grupi ndërkombëtarësh, të cilët duan të justifikojnë fondet e shpenzuara në një vend si Shqipëria, duke thënë: “Ja më në fund e kryem reformën në drejtësi në këtë vend të vështirë”.
Në fund, Lubonja shkruan se rrjeta e hedhur nga Arta Marku do të kapë më në fund dy “peshq të mëdhenj”, ata do të fotografohen dhe në fund e gjithë bota perendimore do të thërrasë: “Bravo Shqipëria, bravo Rama, bravo Lu”.
Lubonja që prej ditës së parë të ardhjes në pushtet të Ramës, ka qenë një kundërshtar i egër i tij.
Por së fundmi Lubonja është duke sulmuar edhe ambasadorët e perëndimit në Tiranë.