Fansat e Eurosong-ut kundër festivalit: Fituesin s’duhet ta zgjedhë vetëm juria!
Dje në sajtin Wiwibloggs, ata vërshuan në kritika për Festivalin e Këngës. Sipas tyre, Shqipëria bëri një hap prapa duke e lënë zgjedhjen në dorën e jurisë. Disa mendojnë se zgjedhja e këngës në Eurosong i duhet lënë në dorë publikut, edhe pse vetë Eurosong-u ka një sistem zgjedhjeje që ndahet 50-50 mes votave të jurisë dhe atyre të publikut.
“Në vend që të bëjnë përpara, e hoqën prapë.”, komenton dikush.
“Vetëm juria? Më shqetëson. Kam frikë se do të përfundojmë prapë me një super-vokalist dhe një baladë. Uroj ta kem gabim.”- një tjetër.
Dikush vë në dukje se të gjithë përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurosong kanë patur këngë që arrinin nota tejet të larta, si Rona Nishliu me “Suus”; Elhaida Dani me “I’m alive”; Aurela Gaçe me “Feel the passion”’, e në fakt, edhe të gjitha të tjerat.
“Shpresoj të mos zgjedhin baladën tipike që ngecet në gjysmëfinale. Këtë vit, FiK ka opsione interesante. S’është e nevojshme të kapin notën më të lartë!”
Megjithatë, ka edhe nga ata që ia vënë fajin natyrës që ka festivali, i cili ka nisur në epokën kur njerëzit s’kishin telefon dhe deri vonë e ka ruajtur traditën, duke ia lënë fituesin jurisë.
“Shqipëria ka ndjekur gjithmonë mënyrën e vet për Festivalin e Këngës. Nuk ka qenë asnjëherë në funksion të Eurovision-it. Ndonjëherë fituesi i FiK shkon mirë edhe në Eurovision (“Suus”), shumicën e herëve jo, pavarësisht “ripërpunimeve” të famshme shqiptare.”
Sidomos viteve të fundit, gjatë fazës përgatitore për në Eurosong, këngët fituese të Festivalit të Këngës janë riaranzhuar jashtë vendit, si edhe kanë zgjedhur të këndohen në anglisht, edhe pse ekziston mundësia për t’i kënduar në shqip.
Fansa të Eurosong-ut e kanë kritikuar në rrjetet sociale këtë metodë, pasi që prej Festivalit të Këngës tek prezantimi i versionit përfundimtar me të cilin do të përfaqësohesh në Eurosong, njerëzit mësohen me variantin shqip që kanë dëgjuar tek Pallati i Kongreseve.
Kliko këtu për të shkuar tek shkrimi i Wiwibloggs