Afro 60 mijë shqiptarë kërkuan azil në Gjermani në vitet 2014-2015. Shumë familje me fëmijë në moshë shkolle.
Enti Federal i Imigracionit i ka refuzuar thuajse të gjithë shtetasit shqiptarë, por procedurat zgjasin deri në tre vjet.
Ndërkohë fëmijët shkojnë nëpër shkolla dhe thurin ëndrra për të ardhmen, prej të cilave duhet të heqin dorë kur të kthehen në atdhe.
Evio është një nga shqiptarët e vegjël që rrinë me ankthin e dëbimit nga Gjermania, pasi familjes së tij dy vite më parë i është refuzuar azili.
Prej dy vjetësh ai shkon në shkollë në Berlinin lindor. Endrra e tij është të bëhet mjek. Por, ai nuk e di nëse do të jetë aty edhe pas një muaji.
Në një vizitë në klasën e tij, në orën e biologjisë të bën përshtypje qetësia dhe komunikimi miqësor me mësuesen. Këtë e tregon edhe vetë Evio. “Nuk bërtasin si në Shqipëri”- thotë ai.
Teksa pyetet si është kthimi në Shqipëri, përgjigja që merr është e dhimbshme: “Shumë keq, as mësuesit as shkollat nuk janë të mira”- thotë ai, duke shtuar se gjithsesi e ka një plan.
“Kur të bëhem 18 vjec do të vijë këtu që të vazhdoj studimet”.


