Kryeministri Edi Rama u kërkoi përfaqësuesve të supermarketeve dhe furnitorëve që forcimi i lekut dhe dobësimi i euros të reflektohet edhe në çmimet e produkteve, veçanërisht për artikujt bazë të shportës.
Gjatë takimit për platformën “Price Watch Albania”, Rama theksoi se qeveria nuk synon të ndërhyjë te fitimet e bizneseve, por kërkoi reflektim në çmimet e produkteve.
Kryeministri tha se e kupton situatën dhe vështirësitë me të cilat përballen sipërmarrjet, duke përmendur kostot që lidhen me pagat dhe funksionimin e bizneseve.
“Nuk do ju prekim fitimet. Por shifrat e Bankës së Shqipërisë thonë se me produktet e brendshme këtu bëhet nami në çmim. Padiskutim me shumë respekt ju keni mundimet tuaja. Por mos mendoni se unë nuk e di se çfarë do të thotë të zgjohesh në mëngjes të kesh rroga për të paguar, këto i respektoj shumë. Por nuk besoj se ka pasur një kryeministër më pro sipërmarrjes, por çdo gjë ka kufi. Dhe po flasim për produkte jetike të shportës, jo deodorand”, tha kryeministri Rama


