Në Francë një i ri kap majat. Në Gjermani zonja e hekurt e Europës lufton për të kapur mandatin e katërt. BE kërkon një dorë drejtuese dhe i kthen sytë nga Parisi, jo nga Berlini.
Në fund të vitit 2017 është e qartë: Në skenën europiane ka filluar të perëndojë ylli i Merkelit. Heroi i ri për shumë proeuropianë është tani Emmanuel Macron, presidenti francez, që fitoi zgjedhjet në maj të këtij viti kundër populistes së djathtë, Marine Le Pen. Në shtator revista „Economist” në faqen kryesore publikon një foto të Macron në dritën e prozhektorëve, ndërsa në gjysmë hije ishte treguar kancelarja gjermane. Merkel me një pamje të plakur sapo kishte humbur shumë mbështetje në zgjedhjet e Bundestagut të 24 shtatorit, ndërkohë në parlament ishte futur një parti e ekstremit të djathtë, AfD.
Kjo gjendje u vu re edhe në samitin e fundit të BE në Bruksel. „Ky samit tregoi me intensitetin e tij, se mund të arrish më shumë, kur të gjithë me dëshirë duan të çojnë përpara atë që kemi të përbashkët”, foli i entuziazmuar, Emmanuel Macron në një konferencë të përbashkët me „miken e mirë”, Angela Merkel. Kancelarja gjermane u tregua shumë e përmbajtur, sepse ajo nuk e kishte në Berlin koalicionin e ri për qeverinë dhe është kancelare vetëm në detyrë. Por ajo premtoi një përgjigje për propozimet e Macron për Europën më së voni deri në qershor 2018. Edhe Merkeli e ka të qartë: „Kur Franca dhe Europa nuk kanë një qëndrim të përbashkët, as Europa nuk ecën përpara.”




