Detaje të reja dalin nga hetimi për vdekjen e Xhuana Nikollajt, e cila humbi jetën në QSUT pasi konsumoi fostoksinë më 10 mars 2026. Në lidhje me ngjarjen, ish-partneri i saj, Eraldo Fizi, ndodhet në arrest me burg dhe po hetohet për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Sipas materialeve të administruara në dosjen hetimore, konflikti mes çiftit dyshohet se kishte nisur pas një ekskursioni në Berat. Më 9 mars, një ditë para se Xhuana të konsumonte fostoksinë, Fizi është takuar me të pranë banesës ku ajo jetonte në Tiranë.
Në dëshminë e saj, shoqja e Xhuanës, Aurela Hasanaj, ka treguar për përplasjet mes tyre, ndërsa në dosje është përfshirë edhe dëshmia e motrës, Klodina Nikollaj.
Kjo e fundit ka deklaruar se rreth orës 03:30 të 10 marsit, Xhuana i kishte shkruar në WhatsApp dhe i kishte treguar se Fizi e kishte marrë me makinë dhe e kishte çuar në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Sipas dëshmisë, Xhuana pretendonte se ishte dhunuar.
Ajo i kishte dërguar motrës edhe një fotografi, në të cilën, sipas deklarimeve të saj, dukeshin shenja në fytyrë. Në komunikimin me të motrën, Xhuana kishte shkruar: “Kam duru boll, smunem ma”.
Pak orë më vonë, ajo u kishte treguar familjarëve se kishte konsumuar fostoksinë. Xhuana u transportua në QSUT për ndihmë mjekësore, por nuk mundi të mbijetonte.
Në dosjen hetimore është administruar edhe dëshmia e motrës tjetër, Silvana Kaleshi. Ajo ka deklaruar se pas ndarjes së çiftit në vitin 2025, Fizi kishte vijuar ta kontaktonte Xhuanën dhe, sipas saj, e kërcënonte se do të vetëflijohej nëse ajo nuk rikthehej në marrëdhënie me të.
Për zbardhjen e ngjarjes, Prokuroria ka administruar dëshmi të personave të afërt, komunikime telefonike dhe pamje nga kamerat e sigurisë.
Në këtë fazë të hetimit, gjykata ka vlerësuar se provat e mbledhura krijojnë dyshim të arsyeshëm për veprën penale për të cilën po hetohet Eraldo Fizi, duke vendosur vijimin e masës së arrestit në burg.


