Që nga koha kur President ka qenë Sali Berisha, Republika e Shqipërisë ka patur në krye të atij institucioni figura politike me pak ose aspak peshë politike. Herë kanë qenë konsensualë dhe herë partiakë, por e përbashkëta e tyre është fakti se asnjëherë nuk kanë mundur të ndikojnë thelbësisht jetën politike me veprimet apo qëndrimet e tyre.
Me reformat kushtetuese, kompetencat e Presidentit të Republikës janë ulur ndjeshëm, megjithatë, roli i këtij institucioni varet shpesh nga personaliteti i njeriut që merr atë post dhe, personaliteti politik i Metës kalon përtej kompetencave formale që ka presidenca.
Shpeshherë rëndësia që ka Presidenti në Republikat Parlamentare varet nga konteksti politik. Nëse klima politike është bashkëpunuese atëherë roli i tij kthehet në formal dhe ceremonial. Por, nëse klima politike, siç ndodh në shumicën e rasteve në vendin tonë është konfliktuale, atëherë roli i Presidentit bëhet i rëndësishëm. Kompetencat e tij janë në formën e një fizarmonike, hapen dhe mbyllen në varësi të situatës politike.
E rëndësishme është që të sigurohet ndarja e pushteteve dhe jo konfliktualiteti i tyre. Që institucioni i presidencës i përket një partie të ndryshme nga ajo e mazhorancës qeverisëse, kjo në pamje të parë mund të duket si e shëndetshme për balancimin dhe ndarjen e pushteteve, por nëse në krye të atij institucioni ndodhet një figurë dhe protagonist i fortë politik si Ilir Meta, atëherë kjo marrëdhënie rrezikon të kthehet në një konflikt, i cili dëmton në mënyrë të pariparueshme marrëdhëniet kushtetuese që duhet të ekzistojnë midis tyre, aq më tepër në një kontekst të tillë.
Eksperienca e zotit Meta mund të jetë shumë e vlefshme nëse vërtet arrin të dalë mbi palët. Precedentët me konflikte midis mazhorancës dhe institucionit të presidencës kanë qenë prezentë në politikën shqiptare. Mjafton të përmendim presidencën e fundit për të kuptuar se si respekti ndaj këtij institucioni është ulur në nivelet më të ulëta historike. Kështu që, të kesh në krye të shtetit një person i cili vjen nga një parti e ndryshme e asaj të mazhorancës nuk do të thotë automatikisht ndarje pushtetesh. Ndarja e pushteteve do të thotë secili në zyrën dhe në detyrat e tij, në të kundërt ajo kalon në një konflikt të parikuperueshëm dhe të dëmshëm për vendin, ashtu sikurse është dhe konflikti i fundit që po cenon mbarëvajtjen e një marrëveshjeje shumë të rëndësishme për ecurinë politike të jashtme të Shqipërisë.