Mediet pranë Sali Berishës, janë shfaqur entuziaste pas një deklarate të ish-ambasadorit Richard Grenell, që një ditë më parë sulmoi sekretarin e Shtetit Blinken, pse ka shpallur non grata Sali Berishën dhe disa zyrtarë bullgarë.
Ai ka thënë se Blinken po godet politikanë të djathtë që duan të kthehen në pushtet, ndërsa e akuzoi sekretarin e Shtetit sit ë lidhur me Sorosin.
“Ne kemi një sekretar Shteti tani që po përdor si armë programin e vizave dhe të udhëtimit që lejon njerëzit të vijnë në SHBA.
Më lejoni të jap një shembull, disa muaj më parë, krejt papritur, sekretari i Shtetit lëshoi disa deklarata për median, duke ndaluar disa shqiptarë që të hyjnë në vend.
Pyeta veten, nga doli kjo? Papritur po u shkojmë pas shqiptarëve dhe më pas bullgarëve?
Kërkova dhe janë të gjithë të djathtë në këto vende, që ndoshta po mendonin të garonin dhe riktheheshin sërish dhe tani u ndalohet që të hyjnë në SHBA dhe po u vendosen nga këto ‘sanksionet’ amerikane.
Është një gjë e tmerrshme për këtë vend,” eshte shprehur Grenell.
“Nuk e di a e dini këtë, por prindërit e Sekretarit Blinken kanë themeluar në qendrën ‘George Soros’, një program të quajtur ‘Qendra Blinken’. Shikojeni pak, kjo gjë nuk ka dalë kurrë në media.
Si është e mundur që sekretari i Shtetit ka një marrëdhënie kaq të ngushtë me George Soros dhe kjo nuk raportohet?
Dhe tani ai po përdor si armë kufizimet për udhëtimet në SHBA në Ballkan dhe në Europën Lindore dhe del i palagur nga kjo?
Kam kontaktuar disa gazetarë të DASH dhe më kanë thënë se është e komplikuar. Sigurisht, u kam thënë, por e dini çfarë, ju duhet të raportoni për këtë. Por kjo thjesht nuk ndodh,” shtoi Grenell.
Kaq është dashur, që mediet pranë Berishës ta sheshin këtë si një vërtetim të akuzave të tij, se është shpallur non grata në SHBA, nga Sorosi.
Vetëm se në qendrimet që mban, duhet të kesh kohezion.
Kjo, duke qenë se Richard Grenell është akuzuar ashpër nga këto media që tani e lavdërojnë, si njeriu që donte të ndante Kosovën, në favor të Serbisë.
Dhe Berisha thotë se është shpallur non grata nga SHBA, pikërisht se ishte kundër ndarjes së Kosovës.
Ndaj duhet ta ndajnë mëndjen, nëse Grenell është “heroi” që po denoncon lidhjet e Blinken me Soros, apo tradhtari që kërkonte ndarjen e Kosovës.
Se të dyja nuk mund të jetë! (TmaA)