Pas më shumë se dy muajsh, jahti turk i braktisur në Shëngjin më 7 shtator është tërhequr nga pronari i saj Nedim Akyuz, e ndërsa nuk ka ende asnjë gjurmë nga kapiteni Sezgin Yavuz i cili vijon të jetë i humbur. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Prokuroria e Lezhës dhe Autoriteti Portual kanë dhënë autorizimin që Akyuz të tërhiqte jahtin në pronësi të tij.
Më datë 7 shtator jahti “Atik Bey” u gjet i braktisur në ujërat ndërkombëtar në Detin Adriatik, 12 milje larg bregdetit të Shëngjinit, me GPS te fikur, ndërsa gjatë kontrollit policia gjeti dokumentet e kapitenit Sezgin Yavuz. Një tentativë e mundshme e trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi dhe mandej në Turqi, në zonën turistike të Izmirit dhe Antalias, ka qenë pista kryesore ku është fokusuar prokuroria e Lezhës, teksa sot ende nuk ka një përfundim të këtyre hetimeve.


