Policia e Durrësit ka zbardhur në kohë rekord plagosjen e rëndë me thikë të një 21-vjeçari, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në lagjen nr. 13 të qytetit. Në kuadër të operacionit të koduar “Baza”, është arrestuar autori i dyshuar, 38-vjeçari E. P., të cilit gjatë kontrollit në banesë iu sekuestrua arma e krimit si dhe pajisje të dyshuara për prodhimin e kriptomonedhave.
Po ashtu, u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Ergys Pjeçi përballet me disa akuza penale, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet në kohë rekord plagosja e rëndë me thikë e 21-vjeçarit, e ndodhur dje, në lagjen nr.13.
Gjatë operacionit, autorit të dyshuar i janë gjetur në banesë, pajisje që dyshohet se shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. P. janë gjetur thika me të cilën ai dyshohet se ka kryer krimin dhe disa pajisje të cilat dyshohet se shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave. Gjithashtu, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.


