U desh një festival kënge në RTSH, që të shpërthente një nga debatet më të mëdha kulturore, të viteve të fundit në Shqipëri. A duhet të fionte Elvana Gjata, apo Arilena Ara? Por, çështja nuk është kjo. A do na përfaqësojë njëra apo tjetra në Eurovizion? As kjo nuk ka pikën e rëndësisë në të gjithën këtë “shkumëzim” kombëtar jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në mediat më serioze të vendit.
E gjithë kjo përplasje, i gjithë ky debat e kjo ndarje si me thikë, ca “pro” e ca “kundër” njërës apo tjetrës, nuk ka të bëjë me tifozllikun për meritat artistike as të Elvanës dhe as të Arilenës. E aq më pak për cilësitë artistike të këngës së njërës apo tjetrës. Sepse askush as nuk ka folur, as nuk po flet dhe as ka për të folur ndonjëherë për to.
Në gjithë këtë debat për fituesen e festivalit, është folur e do të flitet për gjithçka, përveçse për këngët e tyre. Nuk është folur as për vijën melodike. As për brendinë e teksteve. As për orkestrimet. As për cilësitë vokale. As për mesazhet e tyre. E as për profesionalizmin e interpretimit. Jo e jo.
Madje, për ta thonë troç farë, as mos prisni që të flitet për to. Sepse përndryshe, i gjithë ky debat, nuk kishte pse të ishte kaq popullor. Nëse do flitej për art, e gjithë zhurma do të mbeste brendapërbrenda hapësirave të mendimit të profesionistëve. Këngëtarëve, kompozitorëve, autorëve të teksteve, regjisorëve, e kështu me radhë. Në këto kushte rrjetet sociale, nuk do të kishin se çfarë të shkruanin dhe të komentonin natë e ditë, pa u ndalur.
Debati ka në thelb, vetëm një dimension. Ai lidhet thjeshtë dhe vetëm me modelet e shoqërisë shqiptare. Me modelet që promovohen. Me modelet që imponohen. Me modelet që arrijnë të triumfojnë e të dominojnë skenën publike në Shqipëri. Me modelet e vetrealizuara, apo të imponuara. E më pas me mënyrën e komportimit të tyre në shoqëri, me mënyrën e pranimit apo të refuzimit të tyre prej saj.
Brenda debatit të madh, në fakt nuk ka vetëm një, por ka dy debate: Elbana vs. Arilena dhe Alketa vs. Vera Grabocka.
Për debatin e parë, Elvana po kontestohet masivisht për shkak të arrogancës me të cilën u kërkua që të imponohej që në fillim fitorja e saj. Triumfi u shit që në fillim si i mirëqenë, shumë e shumë kohë përpara se të zhvilloheshin, tre netët e Festivalit të 58 të Këngës në RTSH. Ndoshta Elvana në planin personal mund ta kishte jetike këtë triumf artistik në skenën kombëtare dhe daljen në Eurovizion.
Ajo mund ta meritonte këtë në vetëvete edhe profesionalisht. Por fakti që ajo kërkoi ta impononte këtë triumf, jo si fitoren e një këngëtareje të afirmuar, por si hakmarrjen e saj personale ndaj shoqërisë, për shkak të përfoljes që ajo i bëri emrit të saj në ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në Bllok pak muaj më parë, nxiti efektin e kundërt. Duke krijuar një irritim të përgjithshëm që çoi në reaksionin e madh të debatit që nuk po shteron.
Ndërsa përfshirja e Alketa Veisiut dhe e Vera Grabockës në këtë debat, e tejkaloi pozicionin e tyre si moderatore dhe regjisore. Alketa është e talentuar dhe i meriton të gjitha ndoshta ato që ka arritur në jetën e saj profesionale, por shqiptarët nuk ta falin dot arrogancën dhe vetkënaqësinë. Aq më tepër, kur ajo shkon deri atje, sa ta identifikonin Alektën si autoren e një imponimi që po kërkohej ti bëhej modelit social dhe jo atij artistik, të Elvanës.
Në mjediset artistike dhe meditaike të Tiranës, të gjithë e përflasin këtë qasje, por Arian Çani e tha pak më ndryshe, sipas mënyrës së tij: “Mora vesh që fituese u shpall Arilena. Bravo. Të paktën Grabua e shpëtoi fytyrën. Se ndryshe do ishte skandal. Bravo Arilena. Super këngëtare. Shyqyr që se mori ajo tjetra se do ishte turp i madh. Grabua u tregua e kujdesshme dhe anuloi fituesen që përflitej me kohë”.
Pas kësaj Festivali vërtetë fitoi më shumë zhurmë, por ia doli që të shpëtojë nderin e vet. Ndërsa shoqëria shqiptare, arriti një fitore, e cila do parandalojë imponime të tilla në të ardhmen.
Alpenews.al