Akuzat e familjarëve të Iljaz Çalit se vrasësi duhet të kërkohet tek personat që i kishin marrë borxh 37-vjeçarit, ka fokusuar policinë në hetimin e tyre. Grupi hetimor ka marrë në pyetje të paktën dhjetë persona, katër prej të cilëve janë të dyshuar dhe mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Mbrëmjen e djeshme policia ka marrë në pyetje 50-vjeçarin RR.D., për të cilin familjarët e viktimës pretendojnë se u ka rreth 1 milion euro borxh. 50-vjeçari, gjatë marrjes në pyetje, nuk ka mohuar borxhin. Ai ka deklaruar se viktimës i kishte 350 mijë euro borxh pasi i kishte marrë minierën e kromit në Bulqizë për të punuar. Sipas 50-vjeçarit RR.D., kromi vijon të jetë ende në galeri dhe nuk ështe hequr që andej. Mohon të ketë lidhje me vrasjen dhe pretendonte se mbrëmjen e së dielës ishte në banesë.
Një nga pistat e hetimit për ekzekutimin e 37-vjeçarit është pikërisht biznesi i tij i kromit. Një ditë më parë vëllai i viktimës, Zeqir Çali tha se ata si familje nuk kanë hasmëri me askënd, por u kanë borxh persona të tretë një shumë prej 1 mln dollarë. Në dëshminë e tij, ai përmend edhe një person me iniciale RR.D , ku thotë se 3 vite më parë u ka borxh 1 milionë dollarë për shfrytëzimin e minierës së kromit.
Ekzekutimi me armë zjarri brenda makinës ‘Land Rover’ e Iljaz Çalit mbetet ende pa autor. Në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë çka tregon se autorët kanë qëlluar nga brenda makinës duke mos lënë gjurmë në vendin e ngjarjes. Para se të ndodhte krimi, Iljaz Çali kishte ardhur në Tiranë për të blerë ushqime për familjen, dhe në mjetin me të cilin lëvizte janë gjetur vetëm ushqime dhe asnjë send i paligjshëm. Iljaz Çali kishte një biznesi kromi në bashkëpronësi me të vëllanë që prej janarit 2011.


