Prej më shumë se dy javësh, një prej ekzekutimeve më mafioze të ndodhura vitin e kaluar është pa dëshmitar.
Një i mitur, i mbajtur në burg nën akuzën se ka nxjerrë në pritë viktimën, është tërhequr nga bashkëpunimi me drejtësinë pas 8 muajsh e gjysmë. Ai vijon të mbetet nën akuzë dhe në qeli, ndonëse dy prindërit e tij i kanë kërkuar drejtësisë që ta pranojnë kërkesën e të birit pasi ai ka qenë i vogël dhe nuk ka thënë të vërtetën. I mituri tronditi opinionin publik teksa i pranoi Policisë se vrasja e Endri Mustafës, me 17 maj të vitit të kaluar në Shkodër, ishte kryer nga Ibrahim Lici. Policia e mori të mirëqenë dëshminë e të miturit, i cili dha detaje të habitshme për hetimin dhe mbeti aty. Në kërkim u shpall Ibrahim Lici si autor i vrasjes dhe prokuroria e Policia pushuan se hetuari atë krim të rëndë për të shkuar më tej. Prokuroria e Shkodrës dhe së fundmi ajo e Përgjithshme kanë nxjerrë publikisht jo vetëm dëshminë e atëhershme të të miturit, por madje edhe tërheqjen aktuale nga bashkëpunimi, duke e lënë një prej akteve më të rënda kriminale të 2021-shit pa autor. Ndonëse ende nuk dihet se cila është pozita që ai ka mbajtur ndaj emrit të Ibrahim Licit si të përfshirë në atë ekzekutim.
TËRHEQJA E TË MITURIT
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër ka regjistruar procedimin penal 428/2021 në ngarkim të shtetasve Ergys Malja, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të ‘Vrasje me paramendimin, kryer në bashkëpunim’. I mbrojturi prej nesh, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi duke përfituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
I ndodhur në masën e arrestit me burg përballë frikës së një dënimi të mundshëm dhe duke pasur parasysh moshën e tij të mitur, e kanë shtyrë atë të bëjnë deklarime të cilat nuk kanë lidhje me faktet dhe rrethanat e ngjarjes, objekt hetimi, duke i afruar atij në shkëmbim statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
I mituri ka hequr dorë nga statusi i bashkëpunëtorit për shkak se nuk ka kryer veprën penale sikurse akuzohet në bashkëpunim me shtetasin Ibrahim Lici, për arsye se nuk ka qenë në vendin në të cilin pretendohet se ka ndodhur vepra penale, si dhe deklarimi i tij është i pavërtetë”.
Kështu argumentohet kërkesa për tërheqjen nga ajo dëshmi e të miturit Ergys Malja, i cili tashmë ka thënë se jo vetëm nuk ka dijeni për vrasjen e Mustafajt dhe aq më pak të ketë qenë në vendin e ngjarjes, siç ai ka mashtruar Policinë dhe Prokurorinë prej më shumë se 8 muajsh.
Familja e tij, konkretisht dy prindërit, kanë refuzuar të kërkojnë mbrojtje nga shteti, pasi ata kanë pretenduar se nuk i kërcënon asnjë njeri, ndërkohë që as Policia dhe as prokuroria nuk kanë ende asnjë fakt që ta mbajnë të mbërthyer pas asaj dëshmie të miturin, për t’i çuar tek autori i dyshuar i kryerjes së atij krimi të rëndë. Por akuza e Shkodrës, në fakt, nuk heq dorë nga dëshmia që ka dhënë në fillim fëmija, duke e akuzuar atë dhe Licin si bashkëpunëtor në krimin e rëndë.
EKZEKUTIMI I MUSTAFAJT
32-vjeçari u largua nga banesa orëve të vona të 13 majit. Ishte pikërisht i mituri që e thirri. Endri para se të dilte i kishte thënë së shoqes që po shkonte deri në Livadhe dhe do të kthehej për 10 minuta në shtëpi.
Trupi u gjet me 17 maj, ndërkohë që familja kishte nisur e vetme kërkimet. Endri ishte në kërkim dhe, sipas të dhënave, nuk dilte jashtë banese nga frika e ndonjë arrestimi të Policisë.
Burime jozyrtare policore, në kohën e ngjarjes, thanë se ekzistojnë dyshimet që Endrit të jetë rrëmbyer dhe mbajtur peng për orë me radhë. Policia nuk shkoi më tej se sa dëshmia e fëmijës që e nxori nga shtëpia natën e vrasjes, duke e lënë ngjarjen vetëm në versionin e përpunuar të tij.
Djali i tha Policisë dhe prokurorisë më vonë se e kishte thërritur Endrin se ai kishte dy parcela me kanabis, por në fakt Policia nuk gjeti parcela me kanabis që u kishte thënë 15- vjeçari.
Madje nuk u vu nën akuzë as ai dhe as familja e tij si posedues të asaj lënde narkotike, duke e lënë verifikimin e dëshmisë së tij të pandjekur nga asnjë instancë hetimore. Familja e viktimës e përjashtoi emrin e Ibrahim Licit nga të qenët vrasës të Endrit, për shkak të miqësisë së mirë që ekzistonte mes tyre. Mirëpo përjashtimi i emrit të Licit nxori në pah një tjetër emër të dyshuar si vrasës dhe përpunues të dëshmisë së fëmijës: familjen Bajraj.
Edhe këta të fundit e telefonuan familjen e viktimës duke iu thënë se nuk ishin ata autorë, ndërkohë nga ana tjetër, i ati i Ibrahim Licit bashkoi gazetarët lokalë dhe vuri gishtin mbi djemtë e familjes Bajraj si personat që kanë manipuluar dhe përdorur djalin e mitur për ta nxjerrë në pritë Endrin dhe më pas për të akuzuar të birin e tij për atë krim të rëndë./Panorama


