Gjykata Penale e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Përparim Ademin, i cili ditën e 31 dhjetorit vrau me breshëri automatiku të dashurën e tij dhe motrën e saj në zonën e Astirit në Tiranë.
Ademi u gjykua për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare me dashje” që dënohet me jo më pak se 20 vite burg ose dënim të përjetshëm.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e ndërrimit të viteve në rrugën “Bajram Tushi”, në zonën e Astirit në Tiranë. Më të rëndë këtë krim e bën edhe fakti se në momentin e krimit kanë qenë edhe dy persona të mitur 15 dhe 16 vjeç, fëmijët e Zhanetës.
Ademi vrau bashkëjetuesen e tij Zhaneta Metani dhe motrën e saj Kristina Bardhi. Para grupit hetimor, Ademi tha se e ka kryer krimin për shkak të xhelozisë.
Ademi është shprehur se nuk ka pasur për qëllim të vrasë motrat, por në debat e sipër ata e kanë ofenduar dhe ka qëlluar në drejtim të tyre.
Sipas Ademit, ai kishte krijuar lidhje paralele me Zhanetën, pavarësisht se ishte i martuar. Gjatë javëve të fundit, sipas 51-vjeçarit, ajo ishte distancuar ndjeshëm, ndërsa dyshonte se edhe ajo kishte një lidhje tjetër.
Ademi është nga Tirana dhe ka jetuar për një periudhë kohe në Maqedoninë të Veriut. Ai njihet edhe si Përparim Tela, pasi vite më parë ka ndërruar mbiemrin për arsye që nuk dihen. Po ashtu nga Tirana ishin edhe dy motrat. Autori ka pasur probleme me ligjin në Maqedoninë e Veriut


