Kabir Fishta është kandidati më i ri për deputet në listën e PS të Qarkut të Shkodrës, në zgjedhjet parlamentare që do te mbahen më 25 prill.
Ardhur nga platforma tashme e njohur “Deputeti që duam”, 25 vjeçari renditet i 12-ti, sa ç’ështe edhe numri i Partise Socialiste në fletën e votimit.
I lindur në kryeqendrën e veriut, Fishta ka kryer studimet e larta në universitetin Les Roches Global Hospitality School, BBA në Zvicër dhe është specializuar për fushën e turizmit.
Në një interviste ekskluzive për AlpeNews.al, ai rrëfen mbi angazhimin e tij politik, sfidat që e presin si dhe “thyerjen” e asaj që ai e quan stigmatizim për qarkun e Shkodrës të konsideruar gjithmonë si bastion i së djathtës.
Intervista e plotë:
Je një nga studentët shqiptarë të diplomuar jashtë dhe të rikthyer në Shqipëri. Pse kjo zgjedhje?
Fillimisht ju falenderoj për ftesën për të qenë pjesë e kësaj interviste. Siç e përmendët, unë kam studiuar jashtë Shqipërisë në shtetin e Zvicrës dhe jam diplomuar në vitin 2020 në degën ekonomi turizëm.
Vendosa të kthehem sërish në Shqipëri pavarsisht se në Zvicër u përfshiva në disa programe punësimi dhe kishte hapësira për t’u promovuar më tej. Në Zvicër kam pasur mundësinë të përfshihem në eksperienca punësimi në një projekt start-up në lidhje me sektorin e akomodimit dhe inovacionit. Sipërmarrje të tilla të suksesshme janë tepër të zakonshme në Zvicër pasi tregu është i orientuar drejt teknologjisë.
Vendi ynë është në rrugën e duhur për të përafruar iniciativat për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Përvoja e administrimit të biznesit, turizmit dhe hotelerisë kanë formesuar tek unë deshirën që të investohem për vendin tim.
Zgjidhja për t’u kthyer në Shqipëri ishte e qartë dhe si dëshirë për të dhënë kontributin tim pikësëpari në qytetin tim të lindjes, Shkodrën të cilit i detyrohem shumë. Mendoj se dijet që kam përfituar jashtë duhet të investohen fillimisht në Shqipëri për të garantuar një të ardhme më të mirë ashtu si të gjithë e ëndërrojmë.
Angazhimi yt politik, si erdhi?
Në fakt angazhimi i politik është relativisht i ri. Fillimisht duke zhvilluar një intership pranë Fondacionit Politik të Partisë Socialiste dhe më pas në strukturat e FRESSH.
Angazhimi në politikë erdhi si një vokacion i brendshëm. Nuk mund të rrimë në heshtje dhe në pozita pritëse për çdo gjë, por duhet vetë të tregojmë të parët shembullin tonë se si mund të bëhen gjërat. Nga kjo ishte pikënisja përse vendosa që të përfshihem në politikë dhe deri tani ka qënë një rrugëtim shumë i bukur.
Fillimisht pjesë e FRESSH dhe tani pjesë e ekipit kombetar të PS për zgjedhjet e 25 prillit. Si e prite?
Si pjesë e Forumit Rinor të Partisë Socialiste ndërmorën nismën për të themeluar UNION, një strukturë e ngjashme me atë që FRESSH ka për gjimnazistët apo studentët.
UNION erdhi si një iniciativë për një qasje ndryshe në politik-bërjen rinore duke sjellë shembuj dhe praktika të mira në funksion të ndryshimit të Shqipërisë. Në një kohë fare të shkurtër arritëm të bëjmë bashkë dhjetra të rinj dhe profesionistë që kanë kryer apo që po kryejnë studimet jashtë Shqipërisë, të cilët kanë qenë të papërfaqësuar në instancat politik-bërëse.
Dëshira për të qenë pjesë e ekipit kombëtar të Partisë Socialiste erdhi me lançimin nga kryeministri të platformës “Deputetit Që Duam” një nisëm për të thithur kontribute të reja në ekipin e Partisë Socialiste. Kalimi nëpër disa faza të kësaj platforme si një prej kandidatëve me moshën më të re, si dhe prezantimi nga Kryeministri si pjesë e kandidatëve të listës së PS ishte shumë befasuese.
Të jesh pjesë e listës së Partisë Socialiste dhe për më tëper në qarkun e Shkodrës është sa privilegj aq edhe përgjegjësi. Kam marrë gjatë këtyre ditëve me qindra mesazhe urimi dhe kjo më ka bërë të ndihem akoma më i motivuar në këtë garë.
Si po shkon fushata elektorale në Shkodër?
Fushata deri më tani po shkon shumë mirë, jemi të fokusuar për të dëgjuar zërin e çdo qytetari në qendër dhe në periferi, në çdo bashki të qarkut të Shkodrës. Personalisht jam shumë i entuziazmuar nga energjia e qytetarëve të Shkodrës, veçanërisht e të rinjve të cilët reflektojnë atë që Shqipëria do të jëtë në të ardhmen.
Agjenda e këtyre ditëve të fushatës është e ndërtuar me takime të ndërthurura me aktivitete social-kulturore me çdo target-group, duke përçuar për banorët e Shkodrës reformat dhe lehtësirat që janë bërë gjatë këtyre viteve të qeverisjes së Partisë Socialiste, si zerimi i taksave për biznesin e vogël, vendosja e taksimit të ndërshëm progresiv mbi të ardhurat, rekrutimi i drejtë i mësuesve dhe infermierëve etj.
I ri, socialist, në garë per deputet në një qark të dominuar në 30 vjet nga e djathta. Paksa kundër rryme?
Gjithmonë ka ekzistuar një stigmatizim për qarkun e Shkodrës si një bastion i së djathtës për 30 vite. Mendoj që me përmbysjen e ndodhur në vitin 2013 dhe me rezultatin e kënaqshëm në vitin 2017 ky mit tashmë është thyer. Ndaj bindjen se aktualisht me realitetet e reja politike që janë krijuar asnjë qark nuk mund të jetë bastion i një force politike në kuptimin dogmatik të fjalës.
Bashkia e Shkodrës që drejtohet për 30 vite nga e djathta, më tepër se sa ndihmuese ka qenë penguese e projekteve dhe investimeve të ardhura nga qeveria qendrore, ndaj bindjen se kjo gjë duhet të marrë fund në 25 prill.
Votuesit janë të arsyeshëm edhe dinë të ndajnë mjaft qartë se cila është alternativa e duhur që duhet ti përfaqësojë dhe Partia Socialiste ka dhënë provat e duhura për të justifikuar besimin e qytetarëve.
Nga ana tjetër, përpos faktit që e kam konsideruar vetën me bindje të qendrës së majtë, zgjidhja ime për të qenë pjesë e Partisë Socialiste është në vijim të qasjes që familja ime ka si një përkrahëse e kësaj force politike.
Normalisht garat më të bukura janë ato më të vështirat edhe të qenit paksa kundër rrymës në një zonë të vështirë për të majtën më motivon akoma më shumë që të jap më të mirën në këtë garë.
Ku je fokusuar për të fituar votat? Në cilat target grupe dhe si mendon që t’ia arrish?
Jam fokusuar në takime me target grupe të ndryshme duke prezantuar programin e Partisë Socialiste në mandatin e ri dhe bilancin në dy mandate të qeverisjes së kësaj force politike.
Target grupet që jam fokusuar më tepër janë profesionistët e rinj të cilët kërkojnë lehtësira por edhe përfaqësim të drejtë në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë këtyre javëve të fushatës kam njohur me qindra të rinj të talentuar që kanë krijuar start-up të reja. Ligji i ri për start-up të reja inovative i prezantuar pak kohë më parë në Kuvendin e Shqipërisë ishte një iniciativë shumë e mirë që duhet të çohet më tej me dispozitat përkatëse që shoqërojnë ligjin. Po ashtu, shumë iniciativa të tjera të përkrahura nga qeveria dhe donatorët e huaj do të jenë në shërbim të fuqizimit të sipërmarrjeve rinore.
Mendoj që çelësi i suksesit është në krijimin e një kontakti të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe garancia në pasjen e një komunikimi të vazhdueshëm edhe pas zgjedhjeve, që jam i bindur që rrjedhimisht do të çoj në një rezultat të duhur.
Nuk je në atë qe konsiderohet si pjesa fituese e listes se qarkut. A e zbeh kjo garën tende?
Në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës jam i renditur i 12-ti. Të jem pjesë e kësaj skuadre fituese është një përgjegjësi dhe privilegj për mua, si dhe vlerësim në të njëjtën kohë.
Aktualisht me ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor listat konisderohen të hapura dhe secili prej kandidatëve ka mundësinë për të thyer herësin. Përpos kësaj gara që po zhvillojmë nuk zbehet sepse nuk e konisderoj në arritjen e objektivave individuale përball suksesit të ekipit si një i tërë.
Çfarë vlere të shtuar beson se i ke sjelle ekipit të PS në Shkodër?
Përzgjedhja në ekipin kombëtar të Partisë Socialiste mendoj se ka sjellë disa risi. Fillimisht mendoj që formimi në një prej universiteteve të rankuara më mirë në Zvicër, ku përtej modestisë kam përfunduar me rezultate të larta është një vlerë e shtuar për këtë ekip.
Së dyti, nga studimet dhe eksperiencat e punësimit kam mësuar të jem shumë i hapur nga ideve të reja në fushën e sipërmarrjes me fokus të veçantë në turizmin, agroturizmin dhe bujqësinë.
Së treti, jam pasardhës i një familje me rrënjë të thella në qytetin e Shkodrës dhe kam trashëguar prej tyre dashurinë për këtë qytet, gjykoj që përfshirja ime në listën e Partisë Socialiste garanton një përfaqësim më të drejtë dhe vlerë e shtuar për suksesin e ekipit.
Sa mandate beson se do marri PS në Shkodër këto zgjedhje?
Objektivat për mandatet e Partisë Socialiste në qytetin e Shkodrës janë të shpalosura nga kryeministri në shpalljen e listës së kandidatëve. Sipas të gjitha kalkulimeve matematikore Partia Socialiste në objektivin minimal arrin 4 mandate dhe në objektivin maksimal siguron 5 mandate. Në optikën time janë objektiva të arritshme duke parë frymën e krijuar në terren dhe në zgjedhjet e datës 25 prill mbetet për t’u vërtetuar.
Nëse nuk shkon ne parlament si do vijojë rrugetimi yt politik?
Përball interesit individual të të qenit pjesë e parlamentit, prioritare është suksesi i ekipit të Partisë Socialiste.
Jam i bindur se po njëlloj do të jem përkrahës i Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, si dhe veprimtaria ime do të jetë në funksion të fuqizimit të rolit të të rinjve në shoqëri, zhvillimit të start-up të reja inovative dhe një arsimi më cilësor.
Po nëse shkon ne parmament çfarë çështje ke më përzemër per të çuar përpara?
Nëse do të siguroj votëbesimin e qytetarëve të Shkodrës për të qenë pjesë e Parlamentit të Shqipërisë do të shërbej parreshtur në rritjen e fondeve për sipërmarrjet e drejtuara nga të rinjtë më fokus për turizmin, agroturizmin dhe bujqësinë.
Gjithashtu angazhohem për një ngritjen e një Qender Rinore në qytetin e Shkodrës, që aktualisht mungon, e cila do të jetë në funksion të fuqizimit rinor me një agjendë të dedikuar vjetore. Si një qytet me traditë te gjatë sportive investime ne terrene sportive të cilat do të ishin për të rinjtë do të rrisnin nivelin e përfaqësimit të ekipit Vllaznia në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kam shumë dëshirë në rritjen e ofrimit të internshipeve pranë cdo institucioni publik përgjatë gjithë vitit. Në përfundim të praktikave të punësimit të rinjtë do të aftësohen me proceset e punësimit dhe do të perfitojne eksperiencë në aspektin profesional. Në Paktin e Universitetit rreth 1000 studentë të shkëlqyer u punësuan në administratë, por mendoj duhen gjetur hapësira që ky program të funksionoj në bashkëpunim edhe me sipërmarrjen private.
Një mesazh për të rinjtë shqiptar që sot aspirojnë të bëhen pjesë e politikës aktive.
Në mbyllje, kam një mesazh për të gjithë të rinjtë që janë apatik ndaj politikës, duke i inkurajuar që jo vetëm të kritikojnë dhe konstatojnë, por të jenë pjesë e ndryshimit duke dhënë kontributin e tyre.
Jam i bindur se të rinjtë do të dinë mjaft mirë të peshojnë ofertat politike dhe të bëjnë zgjedhjet e duhura në 25 prill 2021.
Ndaj ftoj votuesit në qarkun e Shkodrës që të votojnë numrin 12 Partinë Socialiste dhe kandidaturën time me numër 12.
AlpeNews.al