Viti që po lëmë pas solli disa nga dorëheqjet dhe shkarkimet në postet më të rendësishme. Nga kalimi më normal i Bujar Nishanit tek Ilir Meta, tek ato më të vështirët siç ishte rasti i kalimit të stafetës nga kryeprokurori Adriatik Llalla tek pasaardhësja Arta Marku, apo dhe shkarkimi enigmë i Ylli Manjanit dhe buja e ikjes së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Nga Nishani tek Meta
Bujar Nishani ishte President i Republikës së Shqipërisë nga data 24 korrik 2012 deri më 24 korrik 2017.
Kreu i shtetit, në katër vitet e mandatit qeverisës të mazhorancës aktuale, ka kthyer mbrapsht një mori ligjesh dhe shpesh herë është bërë pengesë për vijimin e disa reformave.
Për dy muaj, mars-prill, Nishani u akuzua nga mediat se u ka dhënë 114 dekorata miqve dhe mbështetësve të tij. Vetëm në muajin prill, Nishani ka dhënë 64 dekorata, ndërsa në muajin mars, 50 dekorata, gjithsej 114.
Pas ikjes së tij, në krye të presidencës erdhi Ilir Meta, zgjedhja e së cilit mendohet se do i qetësoje pak marrëdhëniet Presidencë-qeveri, pasi Meta njihet si politikan konsensual dhe konstruktiv.
Nga Meta tek Kryemadhi
Që të bëhëj President i Republikës, sipas edhe dispozitave kushtetuese, Ilir Meta duhet të hiqte dorë nga funksioni si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe si anëtar i kësaj partie.
Një natë para se të betohej, Meta ka shkuar në selinë e LSI dhe ka takuar të pranishmit duke i uruar kështu suksese në rrugën që kanë nisur. Si nënkryetar i takonte Petrit Vasilit të merrte vendin e tij, dhe ashtu ndodhi deri në momentin kur brenda partisë u bën zgjedhje, dhe në krye u vu Monika Kryemadhi që sot në opozitë po bën një luftë të ashpër kundër qeverisë aktuale. Një ndërrim kuajsh karroce brenda familjes.
Nga Saimir Tahiri tek Fatmir Xhafaj
Në mars, Saimir Tahiri ka dhënë dorëhqjen nga posti i ministrit të Brendshëm.
Tahiri zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama në zyrën e këtij të fundit ku i ka dorëzuar kështu edhe dorëheqjen e tij. Kjo u mendua si një strategji për tu përqëndruar më shumë në zgjedhjet e qershorit, por ngjarjet që pasuan më vonë me skandalin Habilaj e bën këtë dorëheqje të duket si një parapritë.
Pas ikjes së tij, ministër i brendshëm u vu Fatmir Xhafaj, i cili ndërroi me një të rënë të lapsit 33 drejtues të policisë, shkriu 3 komisariate dhe ndryshoi gjithë qasjen e policisë përkundrejt kanabizimit të vendit duke ndëshkuar shefat e policisë për indiferencën. Pikërisht kjo peshë rëndon sot edhe mbi Saimir Tahirin, i cili është i qartë se nuk ka asnjë shpresë të rikthehet në polici.
Elvis Roshi dhe Bashkia Kavajë
Elvis Roshi dha dorëheqjen “morale” si kryetar bashkie më 31 mars të vitit 2016. Megjithatë ai nuk e la me kaq dhe çështjen e dërgoi sërish në gjykatë më shpresën se do të rikthehej në krye të bashkisë së Kavajës.
Më 29 dhjetor 2016 Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vendosi heqjen e mandatit për kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi.. Po atë ditë qeveria mori vendim për shkarkimin e tij. Më 7 mars 2017 Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë kërkesën e tij dhe të avokatit Dhori Sollaku për shfuqizimin e disa neneve të ligjit të dekriminalizimit të cilat do ta rikthenin në detyrë Roshin, ose do ti jepnin mundësinë që të rikandidonte për kryetar bashkie, sërisht. Gjyakata i rrëzoi kërkesat e tij, duke shuar në këtë mënyrë endrren e Roshit dhe duke vulosur përfundimisht ikjen e tij të bujshme nga politika.
Ikja e tij, u pasua nga kandidati i Partisë Demokratike, Isa Sakja që ishte dhe një nga rezultatet surprizë të kësaj force në zgjedhjet e 25 qershorit. Pas gjashte vitesh qe kjo bashki drejtohej nga Elvis Roshi i PS, tashme ka kaluar ne krahun tjeter, duke iu rikthyer drejtimit nga përfaqësuesit e PD që e konsiderojnë Kavajën një bastion të tyre.
Nga Llalla tek Marku
Adritatik Llallës i mbaroi afati mandatit në fillim të këtij dhjetori, ekzaktësisht me datë 7. Por ikja e tij nuk ishte aq e lehtë duke filluar nga ai vetë pasi kërkoi ta zgjaste këtë mandate me motivin se reforma në drejtësi me ndryshimet kushtetuese të saja e prekin edhe atë vetë, duke ia zgjatur mandatin me dy vite të tjera.
Por kjo gjë nuk ndodhi, dhe pas shumë trazirave dhe bisedimeve në vend të tij u vu Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku.
SHISH: Nga Visho Ajazi tek Helidon Bendo
Visho Ajazi Lika u emërua në postin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror në gusht të vitit 2012.
Ai i dorëzoi dorëheqjen Presidentit Ilir Meta më 30 tetor.
Ndërkohë që kryeministri Edi Rama në një takim me kreun e shtetit Ilir Meta, ka propozuar emrin e zëvendësit të tij, Helidon Bendon.
Pas shkarkimit të Visho Ajazit nga posti i drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, detyrën e tij e mori pikërisht Helidon Bendo, nr 2 i këtij institucioni. Helidon Bendo ka marrë detyrën e zv. Drejtorit të SHISH në muajin prill të vitit 2016, si propozim i kryeministrit Edi Rama. Presidenti Ilir Meta ende nuk e ka hedhur firmën mbi dekretin e emërimit të Bendos si pasaardhësi edhe de jure i Visho Ajazit.
Shkarkimi i Ylli Manjanit
Në 30 janar të 2017, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani është shkarkuar nga detyra. Ka qenë një vendim i kryeministrit Edi Rama që e ka hequr nga detyra, pas takimit që ai pati me Ilir Metën. Lajmin e shkarkimit Manjanit ia ka thënë vetë Meta i cili e thirri në zyrë ministrin
“Do isha shumë i fyer po të jepja dorëheqjen. Unë nuk marr përgjejgësitë e kanabizimit të vendit. Edhe sikur kjo të jetë dita ime e fundit e politikës”, tha ai disa ditë pas shkarkimit.
Gudar Beqiraj dorëhiqet nga Akademia e Shkencave
Kryetari i Zgjedhur i Akademisë së Shkencave, Akademiku Gudar Beqiraj ka dhene doreheqjen. Vendimin e tij ai ka bere publik edhe Presidentit Ilir Meta pas takimit që pati me të.
Akademiku Beqiraj i shprehu vullnetin e tij Presidentit të Republikës për t’u dorëhequr nga pozicioni i Kryetarit të Zgjedhur të Akademisë së Shkencave duke theksuar se ai do të mbetet përkrah kolegëve të tij akademikë, mbështetës dhe kontribues i procesit të reformimit të nisur tashmë të këtij institucioni të rëndësishëm.
Përgatiti B.Xhanija
AlpeNews.al










