Në një intervistë ekskluzive për AlpeNews.al juristi Niazi Jaho ka komentuar raportin e OSBE/ODIHR duke argumentuar se për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor kërkon konsensus. Përsa i përket blerjes së votës në Raportin e OSBE/ODIHR-it, lidhur me zgjedhjet e 25 qershorit 2017, ku thuhet se: “Nevojiten përpjekje serioze për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate për ndërgjegjësimin qytetar ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale me qëllim forcimin e besimit te procesi zgjedhor”.
– Komsioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore u miratua në 13 Tetor 2017. A mund të shfaqni ndonjë mendim lidhur me ecurinë e punës së tij dhe sidomos për rezultatet e arritura deri më sot?

Niazi Jaho
– Media ka informuar se Komisioni ka zhvilluar tre mbledhje ku janë trajtuar mjaft çështje por (gjithmonë sipas medias) deri më sot për asnjë çështje nuk është arritur konsensus. Duke patur parasysh se, në Vendimin e Kuvendit për ngritjen e këtij Komisioni thuhet se ai ka për detyrë hartimin e ndryshimeve të kuadrit ligjor zgjedhor për trajtimin e Rekomandimeve të Raporteve të OSBE/ODIHR-it për tre zgjedhjet e fundit të viteve 2013, 2015 dhe 2017, të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet si dhe të propozimeve të partive politike që në zgjedhjet e fundit kanë marrë jo më pak se 1 % të votave, mendoj se jemi disi të vonuar.
– Përse mendoni se jemi disi të vonuar derisa zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore do të zhvillohen vitin që vjen ndërsa zgjedhjet për Kuvendin në vitin 2021?
– Jam i këtij mendimi sepse Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të viteve 2013, 2015 dhe 2017 janë gjithsej 75. Të shumta janë edhe propozimet e institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet si dhe ato të organizatave jofitimprurëse vendase që kanë monitoruar zgjedhjet. Them se jemi disi të vunuar edhe për faktin se kanë kaluar mbi 5 muaj nga data e miratimit të Komisionit (ai ka mandat 6 muaj) dhe për asnjë nga çështjet e parashtruara dhe të diskutuara nuk dimë të jetë arritur në konsensus. Kuptohet, në këto kushte, mandati i Komisionit do të zgjatet, por edhe çështjet që duhet të trajtohen dhe që duhen zgjidhur nuk janë të pakta, madje një pjesë e tyre janë mjaft të rëndësishme.
-Sipas jush, të gjitha Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë të rëndësishme?
-Po, të gjitha janë të rëndësishme, por midis tyre ka edhe prioritare. Vetë OSBE/ODIHR-i e ka bërë këtë dallim. Kështu, në Raportin e vitit 2013 parashikohen 9 rekomandime të tilla, në Raportin e vitit 2015 janë 8 rekomandime ndërsa në Raportin e vitit 2017 janë 8 rekomandime, gjithsej, 25 rekomandime prioritare.
– A mund të përmendni disa prej tyre?
– Në Raportin e vitit 2015 është rekomanduar depolitizimi i administratës zgjedhore në të gjitha nivelet. I njëjti rekomandim është përsëritur edhe në Raportin e vitit 2017. Mund të përmendim gjithashtu rekomandimet për shfuqizimin e dispozitës së nenit 84/1, të Kodit Zgjedhor që lejon filmimet e prodhuara nga partitë politike të transmetuara në lajme, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore duke përfshirë këtu edhe subjektet që kanë të drejtën e ankimit, sqarimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor që përkufizojnë aktet normative dhe aktet e tjera që duhet të miratohen vetëm me shumicë të cilësuar. Kolegji Zgjedhor duhet të veprojë brenda kompetencave të tij dhe duhet të detyrojë KQZ-në të miratojë vendimet e kërkuara. Të gjithë vëzhguesit e akreditur të kenë akses të barabartë për kopjet e tabelave të rezultateve të QV-ve dhe ZAZ-ve. Rekomandim prioritar është gjithashtu edhe ai që kërkon përpjekje serioze për trajtimin e blerjes së votës nëpëmjet një fushate ndërgjegjësimi qytetar ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale.
– Në Raportet e OSBE/ODIHR-it të viteve 2013, 2015 dhe 2017, a ka ndonjë rekomandim për zbatimin e sistemit elektronik të votimit dhe numërimit të votave?
– Në Raportin e vitit 2013, në Kapitullin VII, OSBE/ODIHR-i analizon shkaqet përse dështoi teknologjia e re për zgjedhjet d.m.th., sistemi elektronik pilot i parashikuar në Kodin Zgjedhor, konkretisht, ai i numërimit të votave (SEN) që do të zbatohej në qarkun e Fierit dhe ai i verifikimit të zgjedhësve (SEV) që do të zbatohej në qarkun e Tiranës. Siç përmenda edhe më lart, ky do të ishte një projekt pilot.
OSBE/ODIHR-i në këtë Raport rekomandonte: “…çdo zbatim i projekteve pilot SEN dhe SEV të përcaktuara në ligj duhet të fillojë kohë më parë sesa zgjedhjet e ardhshme duke përfshirë përgatitje të domosdoshme të tilla si miratimi i akteve nënligjore të detajuara si dhe testimi i sistemeve (fq. 10 e Raportit).
Ky rekomandim, siç dihet nuk u shqyrtua as para zgjedhjeve të organeve të qeverisjes vendore të vitit 2015, dhe as para zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2017.
Në Vendimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore thuhet se ai (Komisioni) do të shqyrtojë edhe rekomandimin e mësipërm. Në fakt, Komisioni në mbledhjet e tij ka diskutuar edhe këtë problem.
– OSBE/ODIHR-i në Raportet e tij a ka bërë ndonjë rekomandim për ndryshimin e sistemit zgjedhor ekzistues?
– Jo, në tre Raportet e mësipërme nuk ka paraqitur ndonjë rekomandim të tillë.
– Po blerja e votës mund të parandalohet?
– Mendoj se kjo çështje trajtohet në mënyrë të veçantë në Raportin e OSBE/ODIHR-it, lidhur me zgjedhjet e 25 qershorit 2017, ku thuhet se: “Nevojiten përpjekje serioze për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate për ndërgjegjësimin qytetar ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale me qëllim forcimin e besimit te procesi zgjedhor”.
Në këtë rekomandim, OSBE/ODIHR-i duke iu drejtuar partive politike thekson se: “Partitë politike mund të ndërmarrin një angazhim konkret dhe të mirëfilltë për të luftuar praktikat e blerjes së votës. Gjithashtu, një refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve”.
– Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, disa shtetas u proceduan për shitblerje të votave. A keni dijeni si kanë përfunduar këto procese?
Në atë kohë u fol për ndalime dhe arrestime të disa shtetasve (numri nuk më kujtohet) për shitblerje të votave, por deri më sot nuk di të jetë dhënë ndonjë informacion për numrin e personave të proceduar dhe numrin e personave të dënuar.
Përgatiti:AlpeNews.al
*Niazi Jaho, Studies për Çështjet Zgjedhore
*Ky shkrim është EKSKLUZIV i AlpeNews.al. riprodhimi i tij në mënyrë të pjesshme apo të plotë bëhet vetëm me lejen e redaksisë.


