Ditët e fundit Shqipëria është goditur nga disa lëkundje tërmetesh dhe vijon të jetë një zonë sizmike aktive.
Vendndodhja gjeografike e vendit tonë, pranë Greqisë dhe Italisë, vende me tërmete e me lëkundje sizmike të herëpashershm, e tregojnë se vendi ynë është i rrezikuar nga lëvizjet e tokës. Specialistët thonë se ne jemi vend me tërmete, jemi vend që kemi regjistruar me kalimin e viteve lëvizje të mëdha e të vogla të tokës.
Më i forti gjatë muajve të fundit ishte, ai prej 6 ballësh i datës 11 gusht të këtij viti. Epiqendra e tij ishte 9 kilometra nga qyteti i Burrelit, saktësisht në fshatin Macukull, dhe 37 kilometra nga kryeqytetit.
Nga këto lëkundje u dëmtuan një numër i madh banesash në Qarkun e Dibrës, si dhe disa të tjera të cilat u bënë të pabanueshme nga banorët.
-Po cilët kanë qenë tërmetet më të fuqishme në dhe pranë vendit tonë?
Për të folur më gjerësisht rreth kësaj çështje, AlpeNews.al kontaktoi me Ekspertin e Mjedisit dhe ish drejtorin e Institutit të Kërkimeve Gjeologjike të Tiranës, Defrim Shkupi.
Shkupi tha për AlpeNews.al se brezi Alpin Mesdhetar, ku bën pjesë dhe vendi ynë, është një brez potencial sizmik. Ky brez vazhdon nga Ishujt Azore, Mesdheun, Ballkanin, Turqinë e deri në Indonezinë e largët. Karakteristikë e tij, është se çdo vit përfshihet nga një tërmet të fuqishëm me mganitudë mbi 6.5 ballë.
Më tej ai tha se në Shqipëri tërmetet ndodhin shumë shpesh, por janë të vogla dhe nuk ndihen shumë, e ndërsa të tilla si ai në Burrel, ndodhin rreth një herë në 15 vjet.
-Sipas studimeve të bëra, 3 janë tërmetet më të forta që kanë ndodhur në vendin tonë.
- Tërmeti në 30 nëntor të vitit 1967:
Ky tërmet ndodhi në orën 07:23 minuta dhe ishte me magnitudë 6.6 ballë. Dëmtimet përfshinë rrethet e Dibrës dhe Librazhdit, si dhe një pjesë të territorit të Maqedonisë perendimore. Në rrethet e Dibrës dhe Librazhdit, u prekën 13 lokalitete me 177 fshatra. Nga këto dëmtime vdiqën plot 12 persona, si dhe u plagosën 174 të tjerë. E ndërsa në dëmet materiale, ishin plot 6336 godina, nga të cilat 5664 shtëpi banimi.
Zona që u dëmtuan rëndë, ishin fshatrat Zabzun, Borovë, Prodan, Melçan etj, ku u dëmtuan 75-90% e shtëpive, ku në disa raste të veçanta kishte dhe dëmtime të plota 100%.
Ky tërmet u shoqërua me shumë pasgoditje, numri i të cilave ishte më shumë se 1200, por më e fortë ka qenë pasgoditja e 2 dhjetorit të 1967, në orën 12:44 minuta me magnitude 5.3 balle. Epiqendra e kësaj pasgoditje ishte midis Lunikut dhe Përvallës.
- Tërmeti në 15 prill të vitit 1979:
Ky quhet ndryshe edhe si “tërmeti i Malit të Zi” dhe është një nga më të fortët që ka goditur Gadishullin e Ballkanit gjatë shekullit të 20. Magnituda e tij është vlerësuar midis 6.6 dhe 7.2 ballë, e ndërsa mesatarisht është shënuar 6.9 ballë. Epiqendra e tij ishte në bregdetin e Adriatikut, pranë Petrovacit në Malin e Zi. Ai ka ndodhur në orën 06:19 minuta.
Shumë paragoditje për rreth 2 javë e paralajmëruan këtë tërmet, e ndërsa pasgoditjet vazhduan për rreth 9 muaj. Pasgoditja më e fuqishme ishte ajo e 24 majit të 1979 me magnitude 6.3 ballë.
Ky tërmet shkaktori 35 persona të vdekur dhe 382 të plagosur në vendin tonë. Më shumë se 100 mijë banorë mbetën pa shtëpi (shumica në rajonin e Shkodrës dhe Lezhës).
Ka disa të dhëna të cilat tregojnë se ky tërmet u ndje deri në Austri e Zvicër.
- Tërmeti në 19 janar të vitit 1988:
Ky tërmet ndodhi në orën 01:02 dhe kishte një magnitude prej 5.4 ballë. Epiqendra ishte 10 kilometra në jugperendim të kryeqytetit. Më të dëmtuarat nga këto lëkundje ishin fshtatrat e Petrelës dhe Arbanës, në jug të Tiranës. Dëme të lehta u vunë re edhe në Tiranë.
Për të vazhduar më tej, eksperti Defrim Shkupi na tregon dhe zonat më të rrezikuara në vendin tonë. Sipas tij janë qytetet e Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Lezhës dhe qyteti i Peshkopisë.
Në fund sigurisht, ka dhe një këshillë për të gjithë. Nëse gjendemi në rastë tërmetesh menjëhere duhet të dalim jashtë banesës që ndodhemi, ose në pamundësi të kësaj, duhet të qëndrojmë posht kolonave të ndërtesës.
Përgatiti: AlpeNews.al


