Ish-zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka, pretendoi dje ne rrjetet sociale per vërtetësinë e diplomës së masterit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në grupin e ëhatsapp-it që ka krijuar me një grup gazetarësh, ai shpërndau një kopje të diplomës së Veliajt nga Universiteti i Sussex-it, për të cilën u tha gazetarëve se ishte e falsifikuar.
Por, gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, e me sa duket Muka gënjeu dje gazetarët, një pjesë e të cilëve ranë prè e mashtrimit të tij, duke e botuar në portalet online. E vërteta u zbulua sot (çuditërisht) nga portali TPZ.al i Ylli Rakipit. Ky portal ka kontaktuar me Universitetin e Sussex, drejtuesit e të cilit nxorrën mashtrimin e Taulant Mukës dhe konfirmuan se Erion Veliaj është diplomuar në këtë Universitet në vitin 2006. “Unë mund të konfirmoj se Erion Veliaj është diplomuar në Universitetin e Sussex, në vitin 2006, me një Master në Politikën Europiane”, u shpreh James Hakner, Menaxheri i Komunikimit, në Universitetin e Sussex.
Kjo nuk është e hera e parë që mediat pranë opozitës dalin bllof në akuzat ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndonëse në këtë rast (çuditërisht) është pikërisht njëra prej tyre që ka zbuluar të vërtetën.