Një person është plagosur pasditen e 7 tetorit në një rrugë prapa ndërtesës së Komunës së Kumanovës, pasi u qëllua me armë zjarri nga një makinë që ishte në lëvizje. I plagosuri është kandidat dhe bartës i listës së këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim në Likovë për zgjedhjet lokale të 19 tetorit.
I plagosuri është identifikuar si Z.Sh., 43 vjeç, nga fshati Sllupçan i komunës së Likovës dhe është dërguar për trajtim në spitalin e Kumanovës, bëri të ditur Ministria për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut.
Televizioni Telma raportoi se personi i plagosur është punonjës në Klinikën e Pulmologjisë në Shkup.
Zyra e Prokurorisë Publike tha se sipas indikacioneve të para ngjarja nuk duket se ka motive politike, por shtoi se po hetohen të gjitha rrethanat.
“Dy prokurorë nga Zyra e Prokurorisë Themelore të Kumanovës kanë shkuar në vendngjarje dhe po kryejnë hetimet. Gjurmët dhe të provat materiale po grumbullohen dhe më pas do të ekzaminohen. Një person është ndaluar lidhur me të shtënat, ndërkaq në kërkim është sulmuesi”, tha Zyra e Prokurorisë Publike.
BDI-ja njoftoi se, në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për shkak të seriozitetit të kësaj ngjarjeje, partia ka pezulluar të gjitha aktivitetet e planifikuara për sot.


