Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që u mbajt këtë të mërkurë, më 17 dhjetor, kryetari i kësaj force politike Sali Berisha doli në një prononcim të shkurtër për mediat, ku adresoi çështjet e diskutuara në këtë takim, ndërsa iu përgjigj dhe pyetjeve të gazetarëve.
Berisha u pyet nëse do ta përjashtojë nga PD ish-deputetin Ervin Salianjin, pas përplasjes mes tyre në distancë që nisi me zhvillimin e një turi paralel takimesh me bazën e partisë.
“Edhe njëherë, gjithçka kam patur unë për këtë çështje e kam shprehur si kryetar i PD-së dhe atë e garantoj që nuk e lëviz dot. Qëndrimi absolut i kësaj force politike, vija absolute e kuqe janë bandat e krimit. Shiko statutin!
Jo, nuk kam thënë që s’ka vetëpërjashtime!”, iu përgjigj Berisha pyetjeve mbi Salianjin.
Ndërsa lidhur me organizimin e protestave nga opozita, ai u shpreh: “Protestat absolutisht, revoltë, jo protesta. Ato do t’i mësoni që të gjitha se janë sekrete të organizatorëve!”
Sjellim ndërmend se më herët ditën e sotme, gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se takimin në Elbasan, ish-deputeti Salianji e kishte organizuar në bashkëpunim me bandat kriminale të qytetit. Gjë që Berisha e cilësoi si vijën e kuqe të kësaj partie.


