Një gomone e ngarkuar me hashash është bllokuar në ujërat e Vlorës mbrëmjen e sotme. Burime nga policia e Vlorës thanë se sasia e kapur është “e konsiderueshme”, ndërsa pritet të bëhet peshimi.
Drejtoria Vendore e Policisë së Vlorës në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Delta Forcë, QNOD dhe Guardia di Finanza, edhe gjatë kësaj të marte, kanë kryer kontrolle për parandalimin e trafikimit të narkotikëve përtej kufirit.
Gjatë kryerjes së këtyre kontrolleve, ditën e sotme, disa milje larg ujerave ndërkufitare u konstatua një gomone rreth 8 m e gjatë me sasi të konsiderueshme kanabisi.
Gomonia ishte në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara për lëvizjen e saj në det, thanë burime zyrtare nga Policia.
Pas bllokimit, shërbimet policore po transportojnë lëndën narkotike pranë ambienteve të saj, për të bërë peshimin e saj.
Gjithashtu po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vepre penale.


