Një diplomat rus raportohet se është gjetur i vdekur muajin e kaluar jashtë ambasadës ruse në kryeqytetin e Gjermanisë. Trupi i diplomatit u gjet i pajetë në trotuar më 19 tetor nga policia që ruante kompleksin e Berlinit, raportoi Der Spiegel.
Burri me sa duket kishte rënë nga kati i sipërm, por ishte e paqartë se si. Ministria e Jashtme e Gjermanisë konfirmoi vdekjen e diplomatit për gazetarët, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Policia në Berlin nuk e ka komentuar publikisht vdekjen e diplomatit, e cila u raportua për herë të parë të premten.
Der Spiegel tha se ambasada e quajti atë një “aksident tragjik” për të cilin nuk do të komentonte “për arsye etike”.
Emri i burrit nuk është bërë i ditur zyrtarisht, por raportet thonë se ai ishte 35 vjeç dhe i listuar si sekretar i dytë i ambasadës ruse. Burimet gjermane të sigurisë thuhet se dyshojnë se ai ishte një agjent i fshehtë i shërbimit inteligjent të Rusisë dhe i lidhur me një oficer të rangut të lartë.
Sipas Der Spiegel, ambasada ruse nuk ra dakord për një autopsi pas vdekjes së diplomatit muajin e kaluar dhe trupi i tij tani është transferuar në Rusi./BBC – Gazeta SHQIP