Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar në qytetin e Lushnjës ku një 27-vjeçare me probleme të shëndetit mendor, është abuzuar seksualisht nga një 42-vjeçar.
Ky i fundit i identifikuar si Saimir Meçani është shpallur në kërkim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
Sipas njoftimit të policisë, e reja është paraqitur në komisariat së bashku me dy familjarë të saj dhe në prani të një psikologu, ka kallëzuar një ditë më parë se ka rënë pre e dhunës seksuale.
Ndërkohë në pranga ka ra rënë vëllai i 27-vjeçares. Blutë bëjnë me dije se 32-vjeçari u arrestua pasi gjatë kohës që motra e tij po bënte denoncimin, dyshohet se ai ka djegur me lëndë djegëse, automjetin e nënës së 42-vjeçarit.
Sipas burimeve policore nga komisariati i Lushnjës, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në harkun kohor 03:00- 05:00 pas mesnate, në një pjesë të qytetit që vajza nuk është në gjendje ta përcaktojë.
Pas kësaj situate është kryer edhe ekspertiza mjeko- ligjore. Pavarësisht se ende nuk ka përgjigje zyrtare, e reja ka lëndime të jashtme.
“Në Komisariatin e Policisë Lushnjë, është paraqitur bashkë me 2 familjarë të saj, një shtetase 27 vjeçe me probleme të shëndetit mendor, e cila ka kallëzuar në prani të psikologut, se më datë 22.07.2026, një shtetas kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të.
Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Policisë kryen veprimet hetimore dhe procedurale për rastin dhe në vijim shpallën në kërkim shtetasin S. M., 42 vjeç, banues në Lushnjë, i dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi D. Y., 32 vjeç, vëllai i 27-vjeçares, pasi gjatë kohës që motra e tij po kallëzonte në ambientet e Komisariatit, dyshohet se ka djegur me lëndë djegëse, automjetin e nënës së 42-vjeçarit, autorit të dyshuar.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit S. M. dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.


