Kuvendi do të mblidhet dy herë në seancë plenare këtë javë.
Ditën e enjte, Kuvendi do të zhvillojë punimet në seancë plenare për të shqyrtuar ligjet, që janë në shqyrtim në komisionet parlamentare si edhe dy dekretet e Presidentit Meta, një për kthimin për shqyrtim të buxhetit të shtetit për vitin 2019, si edhe kandidaturën e Vitore Tushës për postin e kryetares së Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Krahas kësaj, ditën e premte do të zhvillohet një tjetër seancë plenare, ku do të shqyrtohet propozimi i opozitës për ndryshimin e Kushtetutës për të futur në të vetingun e politikanëve. Ditën e sotme do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të shqyrtojë axhendën e seancës plenare ditën e premte.
Konferenca e Kryetarëve do të shqyrtojë edhe mundësinë për të futur në seancë plenare të ditës së premte edhe ndryshimet që janë bërë në Kodin Zgjedhor nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Për të dyja nismat ligjore kërkohet konsensus nga kahet politike.
Konkretisht, vetingu në politikë, duke qenë se është ndryshim kushtetues, kërkon së paku 93 vota në Parlament për t’u miratuar. Opozita e ka pasur kauzë të saj këtë çështje, që ka çuar edhe në bojkotin parlamentar që nga fillimi i legjislaturës, në muajin shtator të këtij viti. Krahas kësaj, edhe Reforma Zgjedhore përkon me ndryshime në Kodin Zgjedhor, i cili është ligj që miratohet, minimalisht, me 84 vota.
Pra, për të dyja nismat kërkohet një konsensus ndërmjet palëve. Për vetingun në politikë pritet që PS dhe PD të mos gjejnë dakordësinë, pasi për këtë nismë ata ndajnë qëndrime të ndryshme. Këtë gjë e dëshmuan edhe në mbledhjen e fundit që bënë në Komisionin e Venecias, ku PD theksoi se morën mbështetjen e ndërkombëtarëve, ndërsa PS shprehte të kundërtën. Në opinionin final të Komisionit të Venecias theksohet se drafti i opozitës, pavarësisht qëllimit të mirë, ka probleme në hartimin e tij.
“Me gjithë qëllimin e saj të ligjshëm në situatën aktuale në Shqipëri, drafti kushtetues, që propozon kontrollin e integritetit të politikanëve, nuk arrin të ofrojë udhëzime të përshtatshme dhe masat mbrojtëse të nevojshme, madje edhe në nivelin kushtetues, për një shkallë të tillë të madhe, komplekse dhe të ndjeshme, me implikime të rënda për të drejtat e atyre që i nënshtrohen. Siç është aktualisht, propozimi i verifikimit nuk ka qartësi ligjore dhe siguri juridike, si përsa i përket qëllimit të tij, ashtu edhe arsyet për moszgjidhje dhe humbjen e mandatit dhe mekanizmin e zbatimit të tij. Në shumë aspekte, ajo gjithashtu ngre çështje të proporcionalitetit”, thuhet në opinionin final të Komisionit të Venecias.


