Dy ditë pas protestave të dhunshme që ndodhën në Rrugën e Kombit, kompania e Koncesionarit është rikthyer në sportelet e biletave ku do të mblidhej taksa për rrugën. Punonjës të kompanisë po pastrojnë ato çka ngelën pas zjarrit që përfshiu sportelet, nga të cilët ngelën vetëm skeletet.
Përveç kupolës së kësaj pike, duket se asgjë s’ka ngelur pas zjarrit që ‘përpiu’ gjithçka. Tashmë automjetet kalojnë të lira dhe nuk paguajnë asnjë taksë. Dhjetra qytetarë protestuan ditën e shtunë në shenjë kundërshtie për taksën prej 10 euro (vajtje-ardhje) që do të aplikohet në Rrugën e Kombit. Por gjatë protestës situata degjeneroi në konfrontime fizike me policinë.
Qytetarët hodhën gurë dhe nisën të shkatërronin pajisjet e koncensionarit, ndërsa policia iu përgjigj me gaz lotsjellës. Ndërkohë shumë prej protestuesve pretendojnë se janë dhunuar nga policia. Bilanci i kësaj proteste u mbyll me 14 policë të lënduar si dhe 23 protestues të arrestuar, ndërsa 13 të tjerë janë shpallur në kërkim.


