Shoqërimet e shumta që ndodhin pas atentateve të tilla mafioze si ai ku u vranë Shpati Lena dhe Hakim Xhezo në 18 gusht në Panaja të Vlorës, nuk u sjellin rezultate hetuesve.
Të paktën 20 persona janë shoqëruar deri ditën e djeshme për t’u marrë në pyetje, por asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dëshmi domethënëse dhe aq më pak të jenë të dyshuar si persona të përfshirë në vrasje.
Midis personave të marrë në pyetje janë edhe të afërm të dy viktimave të atentatit. Ndërkohë, kamera të shumta sigurie janë sekuestruar në zonë, kryesisht në dalje të Vlorës dhe që u përkasin bizneseve për të fokusuar automjetin që ka ndjekur viktimat.
Të paktën 12 kamera sigurie janë sekuestruar menjëherë pas ngjarjes. E megjithatë, makina, e cila dyshohet të jetë vjedhur në Durrës kohë më parë, mund të mos u jap të dhëna domethënëse hetuesve dhe kjo e tregon edhe fakti se ka qenë me xhama të zinj.
Ajo që dihet deri më tani është se makina e atentatorëve i ka ndjekur viktimat nëpër superstradë dhe në një moment, i ka parakaluar në krahun e majtë të tyre rreth 100 metra në afërsi të mbikalimit të fshatit Panaja, duke i qëlluar me breshëri.
Të shtënat kanë zgjatur për disa metra, duke qëlluar fillimisht shoferin dhe më pas në pjesën e përparme të automjetit me qëllim vrasjen edhe të pasagjerit.
Në këtë mënyrë, automjeti tip “Benz” që drejtohej nga Shpati Lena, ka vazhduar të qarkullojë edhe për disa metra më tej derisa ka dalë nga rruga, duke përfunduar në kanal.


