Ndonëse në qeli dhe i burgosur, deputeti demokrat Ervin Salianji nuk e ka humbur optimizmin duke ritheksuar se do të dalë triumfues nga kjo ”betejë” dhe do të luftojë së bashku me qytetarët për të larguar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
“Miqtë e mi, mbështetja dhe forca që më keni dhënë në këto 24 orë ka qenë e jashtëzakonshme!
Falënderime nga zemra”, shkruan Salianji në rrjetin social Facebook.
Trupa gjykuese e gjykatës së Apelit e përbërë nga Elona Toro, Genti Shala dhe Iliba Bezati me një votim unanim lanë më 26 shtator në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës të 18 dhjetorit 2019 e cila shpallte fajtor Salianjin për ‘kallëzim të rremë’ lidhur me për audio-përgjimin e dosjes Babale dhe e kishte dënuar me 1 vit burg. Në audio përgjim pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.
Ashtu si Salianji, opozita në kor akuzuan trupën gjyqësore për vendim që i shpall luftë Partisë Demokratike edhe pse 2 nga 3 gjyqtarët, ishin në trupën gjykuese që i dhanë vulën në qershor Sali Berishës.


