Policia e Tiranës, pasi ka marrë një informacion në rrugë operative për shpërndarje droge në zonën e Tufinës dhe të Babrrusë, ka ndërmarrë një operacion për arrestimin e personave.
Në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Tiranës, survejimi ka zgjatur për disa ditë dhe është mësuar se personat që grumbullonin dhe shpërndanin lëndën narkotike në atë zonë, ishin njerëz të së njëjtit fis, por që qëndronin të ndarë për shkak të vendbanimeve të tyre.
Operacioni është zhvilluar në fshehtësi të plotë e për pasojë është ndërhyrë në dy banesa njëherësh, duke bërë të mundur kapjen e tre personave që janë gjendur në banesa respektive; bëhet fjalë për babë i bir në një banesë, vetëm pak metra larg godinës së Komisariatit nr. 4 në Tiranë dhe në Tujan, vendbanimin tjetër ku u vu në pranga poseduesi i një sasie të konsiderueshme heroine.
Nga të dhënat hetimore, Policia pretendon se personi që u kap në Tujan ka edhe grup me vete, pasi ka dyshime që janë disa persona që janë përdorur si shpërndarës në disa prej lagjeve të Babrrusë e deri në Kinostudio, duke përfshirë edhe lagjet e “Kafes së Rremës” dhe zonën e Tufinës.
Por Policia nuk ka ende emra të tjerë përveç tre personave që u vunë në pranga ditën e djeshme dhe ku u bë me dije se lloji i lëndës që hidhej në qarkullim në këto zona ishte heroinë dhe lëndë narkotike në formën e çokollatës.
OPERACIONI
Referuar të dhënave që dolën nga konferenca për mediat e drejtorit të Policisë së Tiranës, Lorenc Panganika, u bë me dije se u kryen dy operacione policore antidrogë, të cilat u realizuan në Tiranë, të koduara “Çokollata” dhe “Tujani”.
Sipas kryepolicit të kryeqytetit saktësohet se pas një hetimi disaditor, shërbimet e Policisë kanë kryer kontrolle në rrugën “Rexhep Tarja”, në banesën në pronësi të Sami Qordjes.
Gjatë kontrollit, bëhet e ditur se është gjetur dhe u sekuestruan rreth 160 paketime me lëndë të dyshuar narkotike, të përpunuar në formën e çokollatës, me peshë totale 48.5 kilogramë.
Në vijim të kontrollit është gjetur dhe një armë gjahu pa leje, e cila është sekuestruar, së bashku me një automjet në përdorim të Qordes dhe dy aparate celulare. 43- vjeçari është vënë në pranga bashkë me djalin e tij 19- vjeçar, Kevin Qordja, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Menjëherë pas operacionit të koduar “Çokollata”, bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi disaditor, është organizuar dhe finalizuar operacioni i dytë antidrogë, i koduar “Tujani”.
Në kuadër të këtij operacioni, në zonën e Tujanit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit 31-vjeçar Ramazan Qordja, ku u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 312 gramë lëndë të dyshuar narkotike të dyshuar heroinë, një armë gjahu, peshore elektronike dhe një aparat celular.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se babë e bir kultivonin dhe prodhonin lëndë narkotike duke e përpunuar lëndën narkotike kanabis në formë çokollate, të cilën më pas e shisnin në zona të ndryshme të Tiranës.
Po nga hetimet ka rezultuar se Ramazan Qordja merrej me shitjen e heroinës, në doza në zonën e Tufinës, në Babrru dhe në rrugën “Myslym Keta”. Në bashkëpunim me persona të tjerë, 31-vjeçari pasi siguronte lëndë narkotike heroinë, në sasi 1-2 kg, e ndante në doza dhe më pas e shiste.


