Gjykata e Posaçme kundër korrupsionin ka nisur seancën për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Selim Çekaj, i arrestuar për gjetjen e 49 kg kokainë në kontejnerin me banane që ai kishte porositur në Portin e Durrësit. Seanca ka rinisur sot pasi u shty ditën e djeshme, ndërsa avokati i Selim Çekajt, Maks Haxhiu tha se ai nuk përbën rrezik dhe për këtë kërkon ndryshim të masës “arrest me burg”. Vetë Selim Çekaj nuk pranon që kokain të jetë e tij pasi ai ka porositur vetëm babane.
“Nuk përbëj asnjë rrezik, kokaina nuk është e imja. Kërkova dhe qëndrova deri sa u kontrolluar kontejneri, unë kam porositur vetëm bananet”, ka thënë Selim Çekaj.
SPAK ka regjistruar çështjen e Selim Çekaj, pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Durrësit për këtë çështje. Selim Çekaj është babai i Arbën Çekaj, i cili është i dënuar me 14 vite burg pasi para 3 vitesh u kap me 613 kokainë në magazinat e kompanisë së tij të bananeve ‘Arbri Garden’ në Maminas po brenda një kontejneri.
Në të njëjtën skemë u kap edhe Selim Çekaj, ku në kontejnerin ku ai priste bananet e porositura me firmën e tij EcoalMax nga Ekuadori policia zbuloi të fshehur 49 kg kokainë. Kontejneri i Selim Çekajt ishte nën vëzhgim prej 1 muaji dhe se kokaina ishte e ndarë në 31 pako e vendosur në shtyllat anësore të kontejnerit me banane, ndryshe nga sasia prej 613 kg kokainë që u kap i biri i 72-vjeçarit, Arbër Çekaj, që kishte fshehur në dyshemenë e kontejnerit me banane.


