Izraeli do të dërgojë ekipin e tij të negociatorëve në Doha, dhe ky është një sinjal shprese për Rripin e Gazës. Pas miratimit me rezerva të Hamasit për draft-marrëveshjen e armëpushimit të paraqitur nga ndërmjetësit e Katarit – e cila në fakt ndjek planin e amerikanit Steve Witkoff – pritej përgjigjja e shtetit hebre. Netanyahu, pasi mblodhi Këshillin e Sigurisë, konfirmoi dërgimin e ekipit, por theksoi se ndryshimet e kërkuara nga Hamasi për draftin “nuk janë të pranueshme”.
Aparati i sigurisë së Hamasit, lëvizja islamiste palestineze përgjegjëse për pogromin e 7 Tetorit, publikoi një seri udhëzimesh dhe një paralajmërim: “Izraeli mund ta shfrytëzojë këtë moment për vrasje të synuara, arrestime dhe përpjekje për të liruar pengje”.
Netanyahu, i cili sot niset drejt Uashingtonit për të takuar presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë (“Një armëpushim këtë javë”, shpreson Trump), ka diskutuar me ministrat linjat udhëzuese për ekipin negociator, veçanërisht për të përcaktuar “vijat e kuqe” nga të cilat nuk do të tërhiqet.
Gjatë ditës dje, Netanyahu ka folur edhe me Giorgia Melonin: kryeministrja italiane ka theksuar urgjencën për të arritur një armëpushim që të mundësojë lirimin e pengjeve që janë ende gjallë dhe hyrjen e plotë e të pakushtëzuar të ndihmës humanitare për popullsinë civile. Meloni ka komunikuar gjithashtu me Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad al Thani, në kuadër të kontakteve të nisura që në samitin e G7 në Kananaskis.
Por familjet e pengjeve protestojnë, pasi, edhe në rastin më të mirë, vetëm gjysma e të gjallëve do të lirohen. Në Tel Aviv dhe qytete të tjera të vendit, dhjetëra mijëra manifestues u bashkuan me protestat e të afërmve. “Në këtë moment kritik është e ndaluar të pranojmë listat e Schindler-it që po na diktohen, sikur të ishte e pamundur t’i kthenim të gjithë pas”, deklaroi Forumi i familjeve, duke iu referuar listës së Oskar Schindler, me emrat e hebrenjve që ai shpëtoi nga deportimi në kampet naziste të përqendrimit gjatë Holokaustit. Për të afërmit, mënyra e lirimit të pengjeve përmes listave dhe fazave të ndryshme krijon një “pasiguri të padurueshme”./La Repubblica


