Publikohet dokumenti i rrallë me telegramin e vdekjes së Elez Isuf Ndreut, ku nënprefekti i Dibrës njoftonte Ministrinë e Brendëshme në Tiranë mbi vdekjen e tij. Cili ishte “gjenerali me shajak” që u vu në krye të kryengritësve dibranë në luftrat për mbrojtjen tërsore të trojeve shqiptare në veri-lindje të vëndit dhe i dekoruar më pas nga Perandori Franc Jozef me dekoratën e lartë “Kryqi i Artë i Oficerëve”
Nga Dashnor Kaloçi, TemA
Plot 94 vjet më parë, më 31 dhjetor të vitit 1924, ndërroi jetë në kullën e tij në fshatin Sllovë të Dibrës, Elez Isuf Ndreu, një nga prijsit dhe udhëheqësit popullorë më të njohur jo vetëm në krahinën e Dibrës por edhe në të gjithë Veriun e Shqipërisë e më gjërë, i cili komandoi luftëtarët dibranë në betejat për mbrojtjen e tërsisë territoriale të Shqipërisë nga invadimet e sulmet e ushtrive serbo-malazeze në dy dekadat e para të shekullit të kaluar. Elez Isufi apo siç është njohur ndryshe si “gjenerali me shajak” ishte plagosur vetëm pak ditë më parë (më 25 dhjetor 1924), diku në periferi të qytetit të Peshkopisë ku ndodheshin kazermat ushtarake, në një përpjekje me forcat e Ahmet Zogut që po rikthehej në Shqipëri pas një qëndrimi prej gati shtatë mujor në Jugosllavinë e asaj kohe.
Po atë ditë, plumbat që qëlluan mbi plakun e famshëm të Dibrës, i kishin marrë jetën edhe nipit të tij, Suf Xhelilit, krahu i djathtë i Elez Isufit dhe gjithashtu një nga luftëtarët më të spikatur në të gjitha betejat që kishte udhëhequr “gjenerali me shajak” që nga dita kur kishte hedhur pushkën krahëve dhe kishte dalë në mal në shenjë rebelimi kundra politikës që po ndiqte Turqia asokohe dhe më pas kundra serbo-malazezëve.
Figura dhe emri i Elez Isufit, u bë i njohur sidomos pas vitit 1917-të, kur së bashku me një delegacion shqiptar ai u ftua në Vjenë nga Perandori Franc Jozef, duke u nderuar prej tij me dekoratën e lartë “Kryqi i Artë i Oficerëve”, për kontributin që ai kishte dhënë në luftrat për mbrojtjen e tërësisë toksore të Shqipërisë në krahinat dhe kufijtë veri-lindorë.
Elez Isuf Ndreu ishte mik dhe bashkëpunëtorë i ngushtë i një serë emrash dhe patriotësh të njohur, si: Islam Spahiu i Lumës, Bajram Curri, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Mustafa Kruja, etj, të cilët më 21 dhjetor të vitit 1921, i kërkuan atij ndihmë për të ardhur në Tiranë me forcat e tij dhe për të larguar me forcën e armëve Ahmet Zogun dhe mbështetësit e tij në Parlament, në atë ngjarje që tashmë është e njohur në historinë e Shqipërisë si “Levizja dibrane”. Edhe pse në fund të asaj beteje u arrit një farë paqeje në mes Ahmet Zogut dhe Elez Isufit (pas ndërhyrjes së ambasadorit britanik, Ejërs), i cili u tërhoq me forcat e tij në zonën e Dibrës, në mes tyre mbeti një hendek i thellë më mëri. Gjë e cila do të dukej edhe në fundin e dhjetorit të vitit 1924, kur Elez Isufi doli dhe luftoi me armë kundër forcave të Zogut që hynë në territorin shqiptar në zonën e Dibrës.
Vdekja e Elez Isufit bëri bujë të madhe jo vetëm në krahinën e Dibrës, por edhe në Tiranë dhe më gjërë, gjë të cilën e dëshmon edhe ky telegram i datës 31 dhjetor 1924 që publikohet për herë të parë, ku zv/prefekti i Dibrës, njofton Ministrinë e Brendëshme, se; “Bahet me dije se Elez Isufi vdiq”. Dhe nga ana e Ministrisë së Brendëshme në atë telegram, është vënë shënimi të ruhet”. Lidhur me vdekjen e Elez Isufit, shkrimtari, studjuesi dhe publicisti i njohur, Xhaferr Martini, një nga studjuesit më të spikatur të historisë së Elez Isufit që ka shkruar disa libra për të, është shprehur: “Për vdekjen e Elez Isufit, e gjithë Dibra bëri konak”
Pas vrasjes së Elez Isufit, parinë e fisit Ndreu e morri i biri i tij, Cen Elezi, dhe kulla e tyre në Sllovë të Dibrës në periudhën e Monarkisë së Zogut dhe më pas, u vizitua edhe nga të huaj, si britanikja Margaret Hazlett, Harry Fultz etj, apo Rose A Lein, që në veprën e saj “Ora e Shalës” ka shkruar gjatë dhe për Kullën e Ndreve në Sllovë të Dibrës.
Cen Elezi dhe burrat e tjerë të fisit Ndreu u angazhuan dhe dhanë një kontributin e madh në periudhën e pushtimit të vëndit (1939-1944), e cila u mobilizua e gjitha në Lëvizjen Antifashiste dhe ku kulla e madhe e tyre në Sllovë të Dibrës u bë një nga bazat kryesore të rezistencës së forcave partizane dhe atyre nacionaliste. Gjatë kësaj periudhë kohe nga kjo familje nacionalistësh spikatën për kontributin e tyre të madh, Cen Elezi (djali i Elez Isufit), me shtatë djemtë e tij, si dhe Gjeneral-major Dali Ndreu, (zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac-Çlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha), bashkëshortja e tij, Liri Gega Ndreu( anëtare e Komitetit Qëndror të Përkohëshëm të Partisë Komuniste Shqiptare), Kolonel Esat Ndreu, komandant i Brigadës XVIII Sulmuese partizane, etj.
Për këtë kontribut që kjo familje dha në Luftë, që në fundin e vitit 1944, Cen Elezi u zgjodh nënkryetar i Frontit Demokratik që kryesohej nga Enver Hoxha, por menjeherë pas mbarimit të Luftës, Cen Elezi dhe gjithë familja e tij nuk do të pajtoheshin me politikën që po ndiqte Enver Hoxha dhe kryesisht miqësia e ngushtë dhe nënshtrimi ndaj Jugosllavisë së marshallit Josip Broz Tito, ndaj të cilëve Ndretë e Dibrës kishin luftuar me armë në dorë për disa dekada me rradhë dhe i shikonin ata si armiq shekullorë. Kjo gjë u bë shkak që Tirana zyrtare të fillonte përndjekjen dhe arrestimet ndaj familjes Ndreu, gjë e cila e detyroi Cen Elezin me gjithë djemtë e tij që të dilnin në mal dhe të arratiseshin më pas nga Shqipëria.
Që nga ajo kohë dhe më pas, pothuaj për 40 vjet me rradhë familja Ndreu u persekutua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke pasur një bilanc tejet tragjik: 6 burra të pushkatuar, (një grua shtatëzanë), 20 të burgosur politik, 12 burra të arratisur nga Shqipëria për t’i shpëtuar persekucionit, 32 vetë të vdekur në burgje e kampe internimi si dhe 55 familje me (qindra pjestarë) të internuara nga viti 1947 deri në 1990-ën?
Kjo gjë u bë dhe shkaku kryesor që gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, Elez Isuf Ndreut nuk ia akordua kurrë titulli i lartë “Hero i Popullit” dhe varri i tij pothuaj kishte humbur në Sllovë të Dibrës, pasi pasarëdhësit e tij ishin të gjithë në burgje dhe internime. Vetëm nga fundi i viteve ’80-të, me nisiativën personale të artistit dhe rapsodit të njohur, Hazis Ndreu, (pinjoll i kësaj familje) dhe djalit të tij, Nesim Ndreu, eshtrat e tij u zhvarrosën prej tyre dhe fshehurazi u vendosën diku në varrezat e Dëshmorëve të Peshkopisë, për t’u rimarrë në fillimin e viteve ’90-të dhe për t’u rivarosur me nderime të mëdha në varrezën monumentale të asaj familje në fshatin Sllovë të Dibrës.





