Historia e panjohur e zgjedhjeve të para parlamentare në Shqipëri në vitin 1921 ku për shkak të parregullsive dhe manipulimeve të shumta në disa qarqe të vëndit ato u bojkotuan nga shumë kandidatë për deputetë në Këshillin Kombëtar, duke e detyruar qeverinë që t’i përsëriste ato. Si i pasqyroi gazeta “Shkumini” fushatën elektorale dhe zgjedhjet në qarkun e Elbasanit, ku u tërhoqën kandidatët e dy partive dhe vetëm Beg Balla pranoi të kandidonte…?!
Nga Dashnor Kaloçi
Plot 98 vite të shkuara, në shkurt-mars të 1921-it, në Shqipëri u organizuan zgjedhjet e para parlamentare nga ana e qeverisë së kryesuar prej Iljaz bej Vrionit, të cilat për shkak të parregullsive të shumta si dhe manipulimeve që u bënë kryesisht nga ana e kandidatëve për deputet që përfaqësonin qeverinë, ato u bojkotuan në disa krahina të vëndit dhe më pas u përsëritën. Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga shtypi i kohës, ku gazeta “Shkumini” e Elbasanit e pasqyroi gjerësisht fushatën elektorale dhe gjithë procesin e zgjedhjeve në të gjithë qarkun e Elbasanit. Nga kjo gazetë, ekskluzivisht për TemA, kemi përzgjedhur vetëm disa paragrafë të një shkrimi të datës 11 shkurt 1921 që hap faqen e parë të saj, ku bëhet e ditur mbi parregullësitë e manipulimet e atyre zgjedhjeve si dhe “propagandën e rrezikshme për fatin e atdheut” që bëhej nga disa kandidatë, gjëra të cilat e detyruan qeverinë që t’i përsëriste ato.
LIGJA E ZGJEDHJEVET
nuk u – kuptua si lypsesh
Një ligj aq e qartë në një Shqipni të vogël, së të hudhësh një koqe mollë në një anë të del në tjetrën anën, kjo ligjë e zgjedhjevet nuk u zbatue në të gjithë anët në një mëndyrë. Prandaj u pa nevoja që zgjedhjet që u banë disa ditë më përpara këtu në qytet të quhen të parregullta, edhe të bahen përsëdyti me atë formë që po bahen në për Prefekturat e tjera.
Me këtë rast filloi një propagandë e rrebtë edhe e pa-pëlqyeshme, nga të dy partiat që kërkojnë të sigurojnë shumicën e votave për kandidatët e vet të mëçeftë, që duan të qesin deputëtë për në Këshillin Kombëtar.
Dihet se këtu në Elbasan janë dy partina. Kto partina, megjithëse asnjena nuk ka dalë sheshit, punojnë ndën rrogos, për të sigurue përfaqësuese të dytë.
Ngjer më sot, përveç zotot Beg Balla, nuk asht çfaq asnji kandidat, as me program dhe as pa program. Asnji nuk don që të vejë në rrezik famën (!) e emntit të ti pa u vërtetue se do të dali domosdo fitues.
Pas lajmevet të veçanta të cilat edhe nuk kemi mujt t’i vërtetojmë plotësisht, nëpër krahinat është tyke u ba një propagandë fort e pa-pagjajtshme dhe e rrezikshme për atdheun. Njerzit e pa-përgjegjshëm që janë caktue me ba propagandë për hesap të gjithësecilës parti, janë tyke u kalue kufinin….

