Haxhi Baxhinovski, ish-i burgosuri dhe i përndjekuri politik që mbeti i vrarë pasditen e 16 marsit në Tiranë teksa ishte me djalin e tij duke vrapuar te Kodrat e Liqenit, plot një vit më parë, pikërisht më 16 mars 2018, ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetarin Dashnor Kaloçi, në kuadrin e dokumentarit “Revolta e përgjakur e Qafë Barit”, ku ai ka dëshmuar gjatë që nga dënimi i tij i parë edhe deri ditën që u lirua nga burgu në marsin e vitit 1991. Nga ajo intervistë që do të ishte dhe e fundit për të, vetëm një pjesë është bërë publike në dokumentarin e sipërcituar (të realizuar nga Dashnor Kaloçi e Monika Stafa), i cili është trasmetuar në Radio-Televizionin Publik Shqiptar në prillin e vitit të kaluar dhe ritrasmetuar edhe disa herë të tjera. Dhe nisur nga ky fakt, atw intervistë gazeta TemA, po e publikon të plotë edhe në shenjë homazhi, jo vetëm për të ndjerin Baxhinovski, por edhe për ata bashkëvuajtës të tij që u ekzekutuan në revoltën e Qafë Barit si dhe të gjithë të tjerëve që humbën jetën gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Zoti Haxhi, kur jeni dënura për herë të parë dhe në çrrethana ndodhi arrestimi juaj?
Jam dënuar në fundin e vitit 1977, jam dënuar me 11 vjet. Jam arrestuar në Librazhd për agjitacion dhe propagandë, në rradhët e ushtrisë kam qënë.
Po hetuesinë ku ua bënë?
Në Tiranë, më sollën nga Librazhdi, ku bëra 18 muaj hetuesi në Tiranë. Hetuesi speciale që e kam bërë me Koço Josifin. Dhe më pas, kam kaluar një hetuesi shumë të vështirë, pasi jam akuzuar për agjenturë.
Kur nuk kishte as agjenturë dhe asgjë, përfundimisht më dënuan me 10 vjet. Bashkë me 2 vjet ikje pa leje nga ushtria shkuan 12 vjet.
Pas dhënies së dënimit, ku ju çuan?
Nga aty kam qëndruar nja 5 muaj në kaushin e Tiranës. Nga kaushi i Tiranës më kanë çuar në Spaç. Në Spaç bëra një vit e gjysëm deri në dy vjet. Nga aty më pas më çuan në Qafë Bari. Kur kam shkuar atje, nuk njifja asnjë të burgosur. Burgu këtu ishte shumë i tmerrshëm. Unë nuk kisha punuar ndonjëherë në miniera, dhe na caktuan në minierë, të gjithëve. Dhe filloi puna atje. Por atje kishte një gjë që ai që nuk bënte normën, e kthenin në tre turne. Flenin edhe në galeri, ishte një dhunë e paparë nga të gjithë policët. Ishin policë të Bulqizës që kishin qënë në kampe ordinere, por që më pas i sollën te politikët. Atje ishte Edmond Caja, këtë nuk di si mund ta përshkruaj pasi ai ishte çun i ri, ishte kriminel i paparë. Ka torturuar të burgosur që unë nuk dij se çfarë mund të them për ta. Kushtet kanë qënë katastrofë. Quhej maunia një kapanon ku flenim njëqind e sa vetë në të. Ushqimi ishte i minierës, me atë punë që bëje aty ushqimi ishte shumë i dobët.
Si e kujton ngjarjen e revoltës?
Ka qënë 22 Maj i vitit 1984, dhe nji çun nga Tropoja nuk kishte bërë normën. Dhe e kthyen në dy turne. Ai ishte çun i ri nja 18 vjeç. Aty filloi revolta që ngriti të burgosurit. U ngritën disa tropojanë, ishin djem që punonin shumë. Një i burgosur mund të nxirrte 30 vagona. Erdhën në kamp dhe tentuan që ta nxirrnin në punë. Por ky nuk pranoi se ishte i lodhur, dhe këta njerëzit e vet, Sokol Progri dhe Tom Ndoja, nuk e lanë që të dilte në punë. U fut policia me shkopinj gome.
Ju rrahën?
Policia i torturoi të gjithë të burgosurit. Na arrestuan dhe do na fusnin në mencë. Kur na futën në mencë, aty i godiste komisari të gjithë me shpulla. Komisari ishte një nga Korça që s’ja mbaj mënd emrin. Filluan një dhunë të paparë. Unë mbaj mënd veten time aty që na futën në rresht sapo filloi revolta. Unë nuk kam pasur lidhje me këtë dhe ata e dijnë të gjithë. U goditën të gjithë me shkopinj gome. I them komisarit mos më godit, por ai më goditi në qafë.
Po ju, iu kundërpërgjigjët komisarit që ju godiste?
Ja për këtë jam akuzuar aty unë, që kam tentuar për ta goditur atë. Në momentin që sa u futëm në mencë, e krijoi Mond Caja këtë rrëmujë dhe këto të gjitha forcat ça ishin polici dhe të gjitha na futën brënda dhe, me emra të 200-të, një nga një për të dalë përjashta. Mesa mbaj mënd thirrën Vllasi Koçin, Konstandin Gjordenin, e kështu me rradhë. Pastaj, Sokol Zefin dhe kur dilje përjashta aty, ishte një turmë policësh me shkopinj gome që sa dilje, të godisnin. Pastaj dolën të gjithë që ishin 12 veta.
Ata nuk e duronin më atë dhunë dhe filluan të përlesheshin me policinë. Në atë moment policia tentoi për të ikur. Dhe u afruan afër rrethimit. Aty ata, qëlluan me mitroloz. Unë kam qënë afër aty kur ka qëlluar ushtari dhe janë shenjat sot e kësaj dite atje. Dhe plagosën Konstandin Gjordenin këtu në krah. U përleshëm me policinë aty dhe ata dolën përjashta. Pas nja dy orësh thanë që do të dorëzoheni. U dorëzuam po pse u dorëzuam ne, se s’kishim ku të shkonim.
Ç’ndodhi pasi u dorëzuat?
Na morën një nga një me emra dhe na lidhën dhe mbaj mënd një gjë, që kur iku policia, ne ishim të lirë në kamp dhe Bajram Vuthi më ka thënë fjalë për fjalë: unë kam qënë pak aktiv në përplasjen me policinë. Kurse Sokol Zefi me Tom Ndojën, ishin shumë aktivë. Ata janë përplasur fizikisht por edhe unë jam përplasur fizikisht me policinë. Bajram Vuthi vetëm ka goditur një polic me patericë, se ky e kishte këmbën e thyer. Dhe ai më tha që unë do hidhem telave më tha.
Ju e ndaluat ta bënte atë veprim?
Unë i thashë; o Bajram, më mirë vdis atje me burrat, sesa t’i biesh telave. Megjithatë e binda. Përfundimisht u dorëzuam dhe erdhi policia që na lidhi dy nga dy. Na morën dhe na futën në dhomat e takimit. Ishin nja katër dhoma. Kur u futëm aty kishte dru sobe, dhe Sokol Progri më thotë që t’i shtyjmë këto dru brënda dhe unë i them; shtyji sa të duash, por këta do t’i gjejnë prapë. Kanë marrë ato drutë e sobës dhe nuk na kanë lënë pjesë të trupit pa na goditur.
Juve personalisht ju goditën?
Aty mua më kanë thyer këmbën dhe dorë që frakturat i kam edhe sot. Unë nuk mbaj gjë mënd më pasi kam një goditje në kokë. Pas kësaj kohe sesi më kanë marrë dhe më kanë hedhur në makinë dhe më thonë, që unë të nesërmen e kam marrë veten në hetuesi.
Ku konkretisht?
Në birucat e Pukës kam qënë me Tom Ndojën. Ajo biruca ishte afër banjove dhe kishte një ganxhë në mes. Tom Ndoja aty ishte i dënuar me vdekje, për sabotim. Dhe Toma më thotë, që në këtë dhomë kam ndënjur i dënuar tre muaj me vdekje. Ai ishte një djalë që nuk ndigjoje fjalë të keqe për atë. Ma morën pastaj dhe na bënë hetuesinë. Me dhunë.
Për çfarë ju pyesnin gjatë hetuesisë dhe a e kujtoni hetuesin tuaj?
Atje na kanë kërkuar si keni dashur të arratiseni dhe si do të merrnit pushtetin. Se na krijuan dy grupe. Ishte një Drago Vujashoviçi, ishte doktor dhe mua së bashku me shokët e mi kosovarë na futën te grupi pro-lindor, se kishin teori këta. Dhe nji grup pro-perëndimor. Dhe i arrestuan të dy grupet. 12 veta këtej, por arrestuan edhe 12 veta andej. Si hetues unë mbaj mënd vetëm një Gavrosh Andonin. Ai mua nuk më ka prekur, por të tjerët i ka torturuar. Unë e kisha këmbën dhe dorën e thyer. Dhe në gjyq kur më kanë nxjerrë, më kanë nxjerrë me barrela. Unë e kam marrë veten pas dy vitesh. Vetëm policë kishte në gjyq.
Si e kujtoni gjyqin?
Në gjyq na akuzuan për organizatë, kundër-revolucionare, për marrjen e pushtetit me dhunë. Sesi mund ta merrnim ne pushtetin, me lugë, por edhe ato ishin të thyera?! U dënuan Sokol Zefi, me vdekje pushkatim, Tom Ndoja, me vdekje pushkatim. Në atë revolt morën Sandër Sokolin, dhe e kanë thyer në mes me tortura. Dhe ai ka vdekur në tortura. Ishte një burrë që e kishte mbaruar shkollën në Moskë për Aviacion. Ishte nipi i Sadik Bekteshit. E ka thyer një polic me emrin Riza Xhafa. Dhe ata i kanë bërë një ashtu që ai gjoja vdiq nga zemra. Por nuk ishte e vërtetë.
Po pas ridënimit në atë gjyq, ku ju dërguan?
Në Burrel, kur kam qënë në atë burg, i kam shkruar një letër Enver Halilit, dhe Nexhmije Hoxhës për krimet që këta bënë. Dhe i kam shkruar në këtë mënyrë; ç’farë po bëni o kriminelë. I pushkatuan këta të dy. Ndërsa Sandër Sokoli vdiq ashtu. Dragon dhe ata miqtë e mi i transferuan në një kamp tjetër. Ndërsa ne na morën dhe na çuan në Burrel. Ai ishte poshtërimi më i madh që na ka bërë Mond Caja, duke na thënë që; do t’ju jap falenderimin e fundit. I ka goditur të gjithë me nga një shpullë. Para se të na transferonin nga Puka për në Burrel.
Po ju iu goditi Mond Caja?
Mua nuk më preku me dorë, edhe pse unë e kam sharë dhe e kam fyer keq. Goditi Bajram Vuthin me shpullë, ai nuk u ndie faktikisht. Dhe ai më thotë gjithë ato goditje që kam marrë, nuk i ndjeva, por atë shpullë nuk e harroj deri sa të vdes. Ishte poshtërim për ne.
Lidhur me letrën që I bëtë Nexhmije Hoxhës, a ju ktheu kush përgjigjie apo….?
Pas letrës që i bëra Nexhmijes, më kanë futur 5 muaj në birucë. Kam ndënjur 23 ditë i lidhur në ganxhë. Por mua nuk më shkonin letrat. Dhe çfarë bëj, postoj dy zarfa, ku te nji shkruaj; dërgon Kiço Ngjela. Ata erdhën dhe më nxorën në oborr të burgut atje më vunë pistoletën te koka duke më thane: “Ke shqetësuar Nexhmije Hoxhën me këtë letër, ne do të të pushkatojmë”. Unë i thashë; më pushkatoni, ja ku jam. Burreli ishte çfarosje. Por unë mësova shumë se Burreli kishte shumë intelektualë. Unë kam gjetur aty Sami Dangëllinë. Pjetër Arbnorin. Dull Sallakun, Simon Jubanin, që ishin intelektualë dhe që kishin bërë nja 30 vjet burg. Kur i shikoja ata merrja forcë në veten time.
Sa kohë keni qëndruar në Burrel dhe kur u liruat nga burgu?
Unë me 29 Mars 1991 kam dalë nga burgu sa hyri demokracia. Sa fitoi Ramiz Alia unë ika. Shkova në Jugosllavi dhe më kthyen. Më pas ika në Greqi. Ca miq të mi kishin shkuar për ta takuar Mond Cajën dhe ai u kishte thënë: “Unë nuk kam bërë ndonjë të keqe, vetëm kam zbatuar ligjin”, u kishte thënë.
A u ka shkuar ndonjëherë në mëndje të hakmerreni kundrejt atyre që ju kanë shkaktuar vuajtje apo që ju kanë torturuar?
Unë dhe të gjithë të burgosurit politikë nuk e kemi menduar asnjëherë për t’u hakmarrë. Ai(Mond Caja, komandanti i policeve te Qafe Barit) tani jeton në Gjermani, në azil politik dhe të gjithë këtë revoltë të Qafë Barit për të cilën po flasim, me gjithë këto viktima, e ka bërë Mond Caja.
Po dëmshpërblimin për vitet e burgut a e keni marrë?
Neve nuk kemi marrë asnjë cent. Na dekoroi Presidenti Topi, por ne i thamë; çfarë janë këto dekorata, ne nuk kemi marrë asnjë dëmshpërblim! Sepse kanë bërë një ligj që për akte terrori nuk përfiton dëmshpërblim dhe ne na kanë quajtur terroristë…?! A e kuptoni se ça vazhdojnë të bëhet me shtresën tonë…?! Dhe ta dini se çfarë kemi hequr ne. Unë kam bërë hetuesi me Koço Josifin, një kriminel. Po kështu Sokol Progrit me shokë iu kanë bërë disa seanca me elektro-shok. Familja e Sokol Progrit, ka var veten nana e tij dhe kunata. E ka thirrur hetuesi dhe i ka thënë që do dëshmosh kundër djalit tënd, do vij nesër i ka thënë ajo dhe të nesërmen ka varur veten. Edhe nana, edhe gruaja, edhe kunata. Edhe djalin ja pushkatuan, Lulash Progrin.