• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 28 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

28 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
DOSSIER/ Përjetimi nga vizita e fundit n’Parma e Bardhok Melyshit: Gjumi i shprishun i tim-eti, prej ëndrrës…
Home
Dossier

DOSSIER/ Përjetimi nga vizita e fundit n’Parma e Bardhok Melyshit: Gjumi i shprishun i tim-eti, prej ëndrrës…

20 April, 2022 s.autor Dossier

Qe hera e fundit që baba bashkë me nanën vinin në Itali. Diku para katër vitesh, o ndoshta pesë. Ky rast për t’cilin po flas, duhet të ketë qenë mesi i janarit afërsisht. Një ndër ato net, shumë vonë mbas mesnate, gjumin ma nxori era e tymit të duhanit që vinte nga salloni. Ishte ora dy, ose tre. Tymi i duhanit ka vesin e keq, sepse jo përherë shkon vertikalisht, ndaj futet në çdo hapësirë që gjen, edhe ato horizontale.

Tim-etit, duhanxhiut t’thekun, as urdhrat kategorike të mjekëve, nuk i’a kishin frenue sadopak këtë ves. Nuk qe mësu me marr urdhna kurrë n’jetë, e ndoshta prej aty lind’te justifikimi i mospranimit. Insistimeve tona, tue i kujtu shpesh herë këshillat e mjekut sa i përket cigares, i’u kthehej me përgjigje evazive, e në të shumtën e rasteve, e mbyllte temën me një “herët a vonë do e la duhanin”, ç’ka në fakt ishte një: “asnjëherë”, e qartë kjo. E për këtë gjë s’kishim pikë dyshimi.

Mirëpo atë natë u habita, sepse në orën tre mas mesante, s’tymoste kurrë cigare, e aq më pak kohët e fundit tymoste cigare në ambiente të mbylluna e me fëmijë të vegjël. Ishte ba komprensiv!

U ngrita e i’u drejtova sallonit. Nuk e kishte ndriçue krejt, kishte ndez vetëm dy, ndër ato dritat e zbehta, që ndriçojnë pak ma shume se nji qiri, ishte ul në karrige, jo shumë larg dritares, një dritare e madhe dhe e gjatë, gjatësia e së cilës binte deri në dysheme, e përtej xhamit t’saj, po vështronte panoramën jashtë. Qe një natë e ftohtë dimni, ani pse mrenda rrihej mirë, ngrohtë, një hanë e plotë, kurrë s’e kisha pa hanën aq t’madhe, e yjet aq t’ndritshme e t’shumta. I ftohti i dimnit e qartson shumë ajrin, e i jep mundësi vështrimit me kundrue larg, shumë larg, gati përtej horizonteve.

 

 

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pytjes time t’shkurtën, për këtë zgjim në mesin e natës, i’u përgjigj me një:

“Pashë n’andërr daj Zefin”!

E ndërkohë, tërhoqi cigaren, rrathët e tymit i mbështollën fytyrën, ajo fytyrë mrekullisht simetrike, e cila kishte ruejt e transportu hijeshinë e kohëve të rinisë. Sytë e tim eti, sy ngjyrë qielli, ku shprehej qartë krejt ngarkesa e inteligjencës me të cilin Zoti e kishte pajisë – ishin pak melankonikë.

Baba, s’e kishte konceptu kurrë ankesën, as viktimizmin, as justifikim në jetë. E ndoshta kishte përjashtue edhe melankoninë në rininë e tij, s’duhej të kishte pasë kohë e mundësi për të. Melankonia, po bëhej ndoshta një luks, i një moshe që tashma jo e re.

“Po baj i kafe”, i thashë, e ashtu ndodhi. Mora i karrige tjetër e i’u afrova afër, u ula përbri tij, kafe bana dy, anipse s’kisha dëshirë me e pi, e aq ma pak me ndez cigare, edhe atë e ndeza, unë që me duhanin isha n’ “armiqësi” t’përjetshme. Por s’gjeta mënyra tjetër, për me i ba shoqni, e solidarizu me të.

E ashtu, nën helmin e asaj cigarje që në atë orë të natës më dukej edhe ma i randue, filluem t’u bisedu me fjalë të rralla tek-tuk, avash-avash, ma za t’ultë, e shikimin të dy përjashta, aty ky dimri digjte fort. Nata qe krejt e kthjellët, aq e kthjellët qe, sa më dukej sikur syni rrokte edhe kodrinat e akoma ma tej malet e mblueme me borë, e që gjendeshin kilometër e kilometër larg, në fund t’fushave pa mbarim të qytetit t’Parmës.

Bisedat e tim eti, kanë qenë përherë të sakta, kurrë një fjalë pa vend, kurrë një fjalë pa peshë, kurrë një fjalë pa parashikimin e mjaftueshëm të rrjedhojës, ndërsa vitet e fundit, e kishte lanë paksa mënjanë dinamizmin e vazhdueshem të rinisë, e ishte ba ma i durueshëm ma i avashtë në bisedë, e më dukej edhe ma artikulues. S’kishte si mos t’ishte artikulues, një njeri, që në t’kaluemen, mas 15-16 orë pune të lodhshme n’ditë, gjente kohë për me lexue Shekspirin, apo Saadiun, apo Petro Markon, apo John Galsëorthy-in. Asiherë s’e kam kuptue ku e gjend’te kohën e qetësinë, me lexue libra, athere…!

Nuk e pyta babën për andrrën, as për daj Zefin. Historinë e dajës së tij ma kishte tregue ma tepër se i herë. Bahej fjalë për Zef Dodë Lekgegën, ish-luftëtar i grupeve të rezistencës anti-komuniste, në përplasjen me forcat qeveritare në Mirditën e mbas-luftës. U vra në vitin 1951. Trupi i tij mas vdekjes, qe var n’litar te famkeqi “man i Lal Ndreut”, një man i madh që gjendej diku aty afër ku sot asht muzeumi i qytetit t’ Rrëshenit. Të gjithë antikomunistat që vriteshin nga Forcat e Ndjekjes, forca të udhëheqme ma s’shumti nga kolonelë rusë, grumbulloheshin aty e vareshin në man, me qëllimin e vetëm me terrorizu popullin. Me ditë të tana varun, deri gati në dekompozim, pastaj trupat e tyne hidheshin në zallin aty afër t’lumit të Zmesë, e rrjedha i merrte e i degdiste larg, e pa varr kund.

Varri i atyne kockave, ishte uji i lumit a i detit, a rranjët e pemëve anash brigjeve. Im atë 9-vjeçar e kishte pa trupin e dajës së tij, sepse fëmijët që dilnin nga shkolla, shkolla atëhere qe aty ku ma vonë do quhej “Brigada ushtarake” – kalonin pikërisht afër “manit të Lal Ndreut”. E trauma kishte qenë e fortë! Këtë gja s’na e kishte thanë baba, por e mësuem prej të tjerve; kishte kalue net e net të tana rresht i tronditun, ashtu sikurse s’do mend që mund të tronditet një fëmijë 9 vjeç, para trupit t’varun t’dajës së tij.

Në luftë edhe vritesh, në luftë mund të fitosh por mund edhe të humbësh, por terrorizimi i kalamajve me trupat e kundërshtarit, s’kishte ba kurrë vaki në tokat e Mirditës, ndër shekuj…! S’kishta ba vaki me pa motra vëllaun, apo nana birin, të varun n’litar, të ruejtun me policë edhe mas dekës, e mos me pasë mundësi me ba gja…!

Këto mendime më përshkonin kokën atë natë, me dëshmitare hanën! Hana e cila me kujtonte nji varg të Fishtës: “Oj hane, e njeve moj h’anë”, – a ndoshta Fishta i ishte ankue Zanës! A ndoshta Fishta, s’ishte ankue hiq, e mu me dukej ashtu…?!

Duhej të ketë qenë pikërisht asokohe pra, që në shpirtin fëmijënor të tij, të jetë brumos rebelizmi kundër sistemit. Nga momenti që rebelizmi nuk mund të ishta ma as aktiv, as i bashkëndarë me të tjerë, i tij që një rebelizëm pasiv, e individual. Konstistonte në kokëfortësinë, qendrueshmërinë, pa epjen, përplasjen sy për sy e dhamb për dhamb, me segmente e njerëz afër pushtetit, e ma tepër afër Degës së Punëve të Brenshme, konsistonte me mbijetesën e mos-nënshtrimin. Krenar, tmerrsisht krenar, anipse njerzit nga i herë e ngatërrojnë krenarinë me mendjemadhësi.

Konsistonte në aftësinë me qenë i vetëdijshëm, zot i shpisë i njerzve të tij, i papenetrueshem, gati-gati një sistem paralel në miniaturë, me lidhje njerzore e miqësore, veçori, e zakone të papërlyera, përkundrejt një sistemi antihuman, madje deri barbar e rrënues…!

Herë me intuite, herë me parashikim, herë me tërhqeje, herë me guxim e agresivitet, përherë vetëvteja, përherë zot i hesapeve të tija, pikërisht atëhere kur përgjithësisht e kishte të vështirë njeriu, me qenë edhe zot i grues së tij

Një jete dallgësh, përplasjesh, lodhjesh e triumfesh. Ndoshta përbetimi para trupit të varun të daj Zefit, apo ndoshta përbetimi përpara varrit, shumë të kërkuem e kurrë të gjetun, të gjyshit, major t, i vramë mizorisht nga ushtarët e Titos e t’Enverit, në Gjilanin e largët n’vjetin 1945, kanë ba të mundun te im atë fermentimin e rebelizmit e të dinjitetit njëkohësisht…!

Heronjtë shpesh herë gjenden nëpër të përditshmet e tyne, në gjana e hollësina që në pamje të parë nuk bajnë bujë. E kotë që heronjtë i kërkojmë nëpër kushedi fare librash, apo nëpër kushedi fare filmash. Ata shpesh herë fshihen e gjinden para nesh, të heshtun, pa vanitete, e pa bzamje t’mdhaja.

Nan ndriçimin e një hane t’plotë, nën qiellin e zemrës s’Europës moderne, në një natë të gjatë dimni, unë isha i bindun, që ndërsa shkëmbenim ndonji fjalë tek-tuk, me mendjen tek Shqipnia e largët në kohë e në distancë, ky Burrë të cilit i isha afru me karrige në krah, nuk ishte thjeshtë im-atë, por shumëçka ma tepër, rrjedha e jetës së tij, i kishte dhanë përmasat e nji heroi.

Burrë me atributet e njerzve të mëdhenj, një jetë e stamposun e dizenjueme me shkronja lavdie. Të papërsëritshme! Memorie.al

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article VRANËSIRA TË SHUMTA E RREBESHE SHIU/ Si parashikohet të jetë moti sot
Previous article GATI DY MUAJ LUFTË/ Imazhet rrënqethëse nga Ukraina, çka mbetur në vendin e pushtuar nga rusët

s.autor

Postime të ngjashme

DOSSIER/ Kujtimet e panjohura të gjeneralit amerikan në fillimet e shekullit të kaluar: Edhe pse një vend i harruar, Shqipëria ka një tokë, ku natyra dhe arti janë bashkuar për të prodhuar... Dossier

DOSSIER/ Kujtimet e panjohura të gjeneralit amerikan në fillimet e shekullit të kaluar: Edhe pse një vend i harruar, Shqipëria ka një tokë, ku natyra dhe arti janë bashkuar për të prodhuar...

DOSSIER/  Letra e panjohur e mbesës së Parashqevi Qirjazit: Sevastia dhe Parashqevia u lejuan të banonin në një kotec pulash, pasi godina ishte kthyer në shkollë partie, ku mësonin... Dossier

DOSSIER/ Letra e panjohur e mbesës së Parashqevi Qirjazit: Sevastia dhe Parashqevia u lejuan të banonin në një kotec pulash, pasi godina ishte kthyer në shkollë partie, ku mësonin...

DOSSIER/ “Lidhja e Prizrenit lindi nga lufta ruso-turke e motit 1877-’78, pasi Rusia fitimtare po përgatiste copëtimin…” Shkrimi i panjohur i Mid’hat Frashërit në 1928-ën Dossier

DOSSIER/ “Lidhja e Prizrenit lindi nga lufta ruso-turke e motit 1877-’78, pasi Rusia fitimtare po përgatiste copëtimin…” Shkrimi i panjohur i Mid’hat Frashërit në 1928-ën

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT